Franca dhe Britania zotohen për veprim pas tragjedisë në Kanalin Anglez

schedule12:46 - 25 Nëntor, 2021

schedule 12:46 - 25 Nëntor, 2021

Londra dhe Parisi janë zotuar të enjten, 25 nëntor, se do të marrin masa për të kufizuar migrimin dhe për të shkatërruar rrjetet e trafikimit me njerëz, pasi të paktën 27 migrantë janë përmbytur të mërkurën (më 24 nëntor), duke kaluar Kanalin Anglez nga Franca në Britani.

Migrantët kanë vdekur pas fundosjes së barkës së tyre prej gome, duke shënuar tragjedinë më vdekjeprurëse prej kur Kanali është bërë rrugë për migrantët.

Ministr francez i Mbrojtjes, Gerald Darmanin, ka thënë se 34 persona besohet se kanë qenë në barkë.

Operacioni i përbashkët britaniko-francez për kërkim-shpëtim është ndalur pas gjetjes së të gjithë trupave dhe dy të mbijetuarve.

Kombësia e migrantëve nuk dihet ende.

Darmanin ka thënë se personat e dyshuar që kanë trafikuar njerëzit e lidhur me aksidentin, tashmë janë arrestuar.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur me kryeministrin britanik, Boris Johnson për të rritur përpjekjet që të ndalohen trafikantët që besohet se janë fajtorë për rritje të numrit të migrantëve.

“Franca nuk do të lejojë që Kanali të bëhet varrezë”, ka thënë Macron, sipas zyrës së tij.

Johnson, në anën tjetër, ka zhvilluar një takim me Komitetin për Kriza të Qeverisë së tij dhe ka thënë se është “i shokuar dhe thellësisht i mërzitur”.

Ai i ka bërë thirrje Francës që të bëjë më shumë për të ndalur valën e migrantëve, duke thënë se përpjekjet e Francës për të patrulluar zonën bregdetare, nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, 31,500 persona kanë tentuar të kalojnë Kanalin drejt Britanisë prej fillimit të vitit dhe 7,800 persona janë shpëtuar në det.

Sipas autoriteteve britanike, më shumë se 25,000 persona kanë arritur ilegalisht këtë vit në Britani, shifër tri herë më e lartë sesa më 2020./REL