Në vendin tonë dhe në një pjesë të madhe të planetit është mbyllur tashmë sezoni futbollistik dhe të gjithë flasin merkaton, që këtu ende nuk ka marrë sprintin e zakonshëm të viteve të fundit. Tani të gjithë kanë marrë pushimet dhe janë kthyer në atdhe për të kaluar kohë me të dashurit e tyre.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku, i cili është pjesë e Bolivar në Bolivi. Elbasanasi është parë në Tiranë dhe në një foto të siguruar nga Abcnews.al ai shihet i shoqëruar me Gaz Demin, presidentin e Partizanit.
Të kuqtë po tentojnë emrat më të mirë në merkato dhe ëndrrat janë falas, kështu që dikush edhe mund të ëndërrojë ardhjen e Sadikut te Partizani. Gjithsesi, duke parë pagën (më shumë se 500 mijë €) dhe nivelin e Sadikut, mund të themi me keqardhje se ky është versioni më pak i mundshëm i arsyes së takimit të tyre.
Ndërkohë, mund të ketë disa mundësi të ndryshme përse ata janë takuar. E para mund të themi se është një takim rastësor. Zona e Bllokut, ku ata ndodhen në foto, është një lagje e frekuentuar shumë nga VIP-at dhe Sadiku e Demi mund të kenë gjetur njëri-tjetrin rastësisht.
Mes hamendësimeve mund të përmendim edhe një bashkëpunim të tyre në biznes. Gaz Demi është një nga biznesmenët më të njohur në vendin tonë dhe mund të jenë një udhërrëfyes i mirë për Sadikun, për të hyrë në këtë fushë dhe për të pasur sukses. /abcnews.al