“Ballshiotët festë me birra para ndeshjes me Partizanin”, një pjesë e titullit të një artikulli të “Panorama Sport”, nuk është pritur mirë në klubin e Bylisit. Një foto e postuar në rrjetet sociale, ku shikohen disa prej lojtarëve të ballshiotëve duke konsumuar nga një pije alkoolike, ka sjellë si produkt lajmin e përmendur më lart.
Te Bylisi kërkojnë të sqarojnë se lojtarët kanë qenë së bashku para disa ditësh dhe jo ditën para ndeshjes me Partizanin. “Ne lidhje me një shkrim të bërë publik në një media ditën e sotme, ku ilustrohet edhe me foton e lojtareve tanë, sqarojmë opinionin publik se është dizinformim dhe është një foto që i përket ditëve më parë, pasi klubi ynë ka rregulla strikte dhe 48 orë para ndeshjes së radhës qëndron i grumbulluar dhe 24 orë para nuk lejohen lojtarët që të dalin nga qyteti.
Me përjashtim të Goxhajt, që është pezulluar nga trajneri, që i ka kërkuar klubit marrje mase pasi gjuajti penalltinë pa leje, lojtarët e tjerë kanë qenë në grumbullim gjatë javës. Ky shkrim është jokorrekt, sidomos në prag të ndeshjes së radhës me Partizanin, ndërsa duam të bëjmë me dije për opinionin se klubi ynë mbetet shembull në aspektin organizativ”, shkruan Bylisi mes të tjerave në reagimin e bërë.
“Bëjme thirrjë që mediat të bëjnë kujdes në lajmet që pasqyrojnë për klubin tonë. Jemi të hapur për bashkëpunim, por jo të merren me të pavërteta dhe lajme “Facebooku” apo “Instagrami”, në të kundërt do ndjekim rrugën ligjore. Jemi një nga klubet më serioze në Shqipëri dhe nuk lejojmë askënd që të krijojë lajme të pavërteta, duke abuzuar me Bylisin apo duke krijuar insinuata dhe prishje imazhi tek tifozët tanë dhe jo vetëm!”, mbyll klubi ballshiot. /abcnews.al