FOTO/ Një vit nga tërmeti në Turqi, homazhe dhe lule për viktimat

schedule09:04 - 6 Shkurt, 2024

schedule 09:04 - 6 Shkurt, 2024

Më shumë se 10,000 njerëz u mblodhën në orët e para të mëngjesit për të shënuar përvjetorin e parë të tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë juglindore, ndërsa disa protestuan për atë që ata e quajtën neglizhencë të qeverisë në trajtimin e pasojave të tij.

Tërmeti me magnitudë 7.8, fatkeqësia më vdekjeprurëse në historinë moderne të Turqisë, rrafshoi qytete në rajonet juglindore të vendit dhe Sirinë fqinje. Më shumë se 50,000 njerëz në Turqi humbën jetën dhe rreth 5,900 në Siri, ndërsa milionë kanë mbetur të pastrehë.

Në provincën juglindore turke të goditur më keq, të Hatay, qytetarët i bënë thirrje qeverisë dhe autoriteteve lokale të largoheshin dhe kërkuan që asnjë zyrtar të mos merrte pjesë ndërsa nuk u lejuan as fjalimet.

Banorët thonë se shumë njerëz vdiqën jo sepse ndërtesat u shembën, por sepse kanë pritur në të ftohtë nën rrënoja.

Njerëzit më pas hodhën lule në lumin Orontes (Asi), i cili rrjedh nëpër qytet. Merve Gourchel, e cila humbi tezen, burrin e tezes dhe kushërinjtë e saj në tërmet, thirri emrat e tyre duke hedhur nga një karafil në ujë për secilin prej tyre.

Nesibe Duzgun tha se hodhi lule në ujë për të gjithë ata që njihte dhe se kjo ditë ka bashkuar njerëzit e Hatay.

Presidenti Tajip Erdogan tha në një deklaratë në rrjetin social X se dhimbja e humbjes së familjarëve nga tërmetet ishte po aq e freskët tani sa ishte një vit më parë dhe se qeveria e tij ishte mobilizuar menjëherë pas asaj që ai e quajti “katastrofa e shekullit”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!