FOTO/ Mediu takon zyrtarë të lartë të Bundestagut: Gjermania kërkon një Shqipëri europiane

schedule10:48 / 25/10/2019

Kreu i Partisë Republikanë Fatmir Mediu ishte në një vizitë Berlin gjatë të cilës zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të CDU në Bundestagun gjerman.

Bundestagu i ka vendosur Shqipërisë nëntë kushte për të hapur negociatat, për të cilat Mediu thotë se bëhen në kuadër të nevojës për një Shqipëri europiane.

“Gjatë vizitës në Berlin pata kënaqësinë që të zhvilloja takime me deputete të Bundenstagut gjerman me reporterin për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm Christian Schmidt, Katja Leikert Zv.Kryetare e Grupit parlamentar CDU, Peter Beyer LL.M, Koordinator për Marrëdheniet Transatlantike.

I falenderova në emër të opozitës për mbështetjen e sinqertë që Bundestagu i dha Shqipërisë për hapjen e negociatave për BE të shoqëruar me 9 kushte që reflektojnë qartë se Gjermania do një Shqipëri demokratike dhe europiane, me një shtet kushtetues, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, gjyqësor funksional dhe të pavarur”, shprehet kreu i republikanëve pas vizitës duke theksuar se për opozitën kushtet e Gjermanisë janë udhërrëfyesi për të ardhmen për dialogun dhe zgjidhjen e ngërçit politik zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Po ashtu i bëra me dije se opozita ka filluar punën mbi këto kushte duke ndërtuar një grup që po punon për reformën zgjedhore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Deputetët e Bundenstagut gjerman garantuan mbështetjen për Shqiperinë si dhe këmbëngulin për përmbushjen me seriozitet nga qeveria dhe politika të kushteve të vendosura si interes i Shqiperisë dhe shqiptarëve”, përmbylli Mediu.

BE nuk i hapi negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kësaj radhe, ndërsa pritet që kjo çështje të rishqyrtohet në pranverën e vitit tjetër.

schedule10:48 / 25/10/2019