FOTO/ Ky është shoku i biznesmenit të zhdukur që policia e kapi rastësisht, e kërkonte Italia

schedule16:10 - 5 Nëntor, 2021

schedule 16:10 - 5 Nëntor, 2021

Gazetari Artan Hoxha ka siguruar foton e shokut të biznesmenit të zhdukur prej disa ditësh në Tiranë. Ferdinand Rrushi është ndaluar për zhdukjen e biznesmenit, Ruzhdi Hoxha pasi ka qenë kontakti i fundit përpara se të humbte gjurmët. Rrushi njihet me dy emra, Ferdinand dhe Alfred. Ferdinand Rrushi tashmë ndodhet në paraburgim pasi gjatë shpjegimeve që dha për zhdukjen e biznesmenit Hoxha rezultoi se ishte në kërkim nga drejtësia italiane.

Por si u zhduk biznesmeni?

Prej dy javësh biznesmeni Ruzhdi Hoxha, që ka në pronësi një fabrike inertesh në Kamzë rezulton i zhdukur. 43 vjeçari është baba i dy fëmijëve. Mbrëmjen e 24 tetorit, djali i tij ka denoncuar në komisariatin numër 5 largimin e të atit nga banesa. U ka thënë policëve se prej 3 ditësh nuk kishte mundur të komunikonte me të. Pas denoncimit, një grup oficerësh kanë zbuluar personat e fundit që kanë takuar dhe kanë parë 43 vjeçarin Hoxha. Njëri prej tyre rezultoi të ishte bashkëmoshatari i tij, Ferdinand Rrushi.

Para grupit hetimor ai tha se bashkë me një shok tjetër të tyre ndodheshin në një lokal në Kamzë duke konsumuar kafe. Sipas tij, Ruzhdiu i kishte kërkuar që ta çonte deri në Fushë Mëzezë dhe pasi e ka lënë atje, nuk kishte pasur më asnjë kontakt me të.

Por nga verifikimi që policia bëri ndaj këtij personi rezultoi të ishte në kërkim. Gjykata e Xhenovas në Itali e kishte dënuar për trafik droge. Rrushi u arrestua me qëllim ekstradimi, por njëkohësish është i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ruzhdi Hoxhës.

Mjeti që përdori Rrushi është kapur nga kamerat edhe në zonën e Zallherrit. Pak ditë më parë, në komisariatin numër 4 një person ka denoncuar se ka gjetur në rrugë, pranë Shkollës së Bashkuar, një celular. Nga verifikimet dyshohet se ky aparat i përket biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Hetuesit dyshojnë se celulari mund të jetë hedhur në këtë zonë, për të shpërqendruar hetimet e policisë. Për gjetjen e biznesmenit, policia ka shoqëruar më shumë se 10 persona, por pas deklarimeve ata janë lënë të lirë.

Familjarët e Ruzhdi Hoxhës kanë pohuar se i afërmi i tyre ishte larguar të paktën edhe dy herë të tjera nga banesa, por ishte kthyer pas dy ditësh. Ngjarja është referuar në prokurori për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”. Si pistë kryesore po hetohet ajo e rrëmbimit dhe zhdukjes për shkak të borxheve që ka pasur Hoxha, ndërsa biznesi i tij ka qenë drejt falimentimit./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!