FOTO/ Kjo është gruaja që mbeti viktimë nga të shtënat me armë në “Don Bosko”

schedule08:19 - 13 Mars, 2023

schedule 08:19 - 13 Mars, 2023

ABC News ka siguruar foton e Mimoza Pajës, banakieres e cila mbeti viktimë pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.

Paja jetonte me qira vetëm disa metra larg lokalit ku mbeti e vrarë, me djalin e saj Sajmirin dhe mbesën 10-vjeçare Rea. Kjo e fundit është vajza e vajzës së saj nga një martesë e parë, teksa pasi ishte martuar së dyti, e vogla rrinte me gjyshen.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në orën 21:05, ku  mbetën të plagosur edhe 6 persona, mes tyre edhe një e mitur 10-vjeçare. Të plagosur mbetën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuele Sala, Ermir Bejçuku dhe Genc Shohalli.

Dyshohet se autorët kanë qëlluar në drejtim të lokalit, teksa po lëviznin me një motor. Për kapjen e tyre, janë ngritur pika kontrolli edhe në Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Lokali ku ndodhi ngjarja, rezulton në pronësi të Fatjon Muratit, i cili është një emër i njohur në botën e krimit.

Këtij të fundit, gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpiak”, por mbrëmjen e djeshme, ai nuk është gjendur në banesë nga forcat e policisë. Efektivët po kryejnë verifikimet nëse ka shkuar në spital.

Pak muaj më parë është ndaluar nga policia, ku ishte me Indrit Doklen në makinë dhe më pas gjykata i ka caktuar masën e sigurisë.

Murati ishte shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën e Fushë-Krujës me tre të vrarë dhe ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!