Nëse nuk do t’i kishte dritat e kaltra, do të dukej saktësisht si një A8 e zakonshme. Megjithatë kjo që po e shihni është vetura e veçantë – Audi A8 L e blinduar.
Ky model peshon 3 875 kilogram, jo vetëm për shkak të shtresës anti-plumb, por edhe për shkak të harduerit të veçantë që e ka të instaluar. Një shembull i rëndësishëm është sistemi për shuarjen e zjarrit.
Shndërrimi i një A8-sheje të zakonshme në model “A8 Security” merr 400 orë pune shtesë dhe gjithçka kryhet në një fabrikë të veçantë. Të gjitha veturat e blindura të këtij prodhuesi testohen nga autoritetet e sigurisë për ta vlerësuar rezistencën ndaj snajperëve dhe granatave të dorës.
Në një skenë nga jeta e përditshme, kjo veturë do të mund t’i shmangej rrezikut edhe me goma të shfryra me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë dhe në largësi deri në 80 kilometra.
Vetura është e pajisur edhe me sistemin e ajrit të pastër, të cilin pasagjerët mund ta shfrytëzojnë nëse ajri jashtë veturës është i kontaminuar me agjentë kimikë.
Ndonëse nga jashtë, A8 Security duket si një A8 e zakonshme, ajo motorin e ka të modelit S8 me 563 kuaj fuqi. Shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për vetëm 6.3 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 210 kilometra në orë.
Çmimi i kësaj veture do të jetë rreth 750 mijë dollarë, ndërsa duhet të porositet 3 deri në 6 muaj para se të jetë e gatshme për t’u dorëzuar te pronari.