Kandidati për deputet i Partisë Socialiste Halit Valteri ka mbushur rrugët e qytetit të Kamzës me postera për të kërkuar një votë për emrin e tij, duke shkelur kështu kodin zgjedhor. Sipas këtij kodi që prej vitit 2017, posterat lejohen të vendosen vetëm 5 metra larg zyrës elektorale të kandidatit.
Valteri, deputet i opozitës parlamentare iu bashkua socialistëve më pak se një muaj më parë, në listën e të cilëve mban numrin 35 në qarkun e Tiranës. Objektivi i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës është jo më shumë se 20 mandate, por Valteri ka deklaruar se synon të thyejë herësin dhe të vijë në Kuvend me votat e tij.
Çfarë thotë Kodi Zgjedhor
Në pikën 2 të nenit 79 të Kodit Zgjedhor thuhet konkretisht se çdo material i përdorur për propagandë zgjedhore duhet të jetë i vendosur jo më larg se metra nga zyra zgjedhore e partisë politike.
“Gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës”, thuhet në pikën 2.
Ndërkohë në pikën 5, përcaktohet edhe institucioni që duhet të garantojë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen, që në këtë rast janë policia bashkiake si dhe ajo e shtetit.
“Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikat 1 dhe 2 të këtij neni”.
/mv.abcnews.al