FOTO/ “Hija” e klubit të PSG-së: Julien Scussel, fotografi i cili ka pamjet e papublikuara ndonjëherë nga ekipi francez

schedule10:44 - 8 Shkurt, 2023

schedule 10:44 - 8 Shkurt, 2023

Përktheu Hergi Llupi

Për gjashtë vjet tashmë, fotografi Julien Scussel ka pasur akses ekskluziv në klubin parizian dhe lojtarët e tij. Asnjë fotograf nuk është afruar kaq shumë me një ekip profesionist futbolli, të përbërë nga yje ndërkombëtarë që ndiqen gjithmonë nga mediat botërore. Rezultati është një vështrim nga prapaskenat e ekipit që ndryshoi përgjithmonë dimensionin e klubit ikonik parizian dhe gjurmën e tij në botën e sportit e më gjerë. Nga kjo vjen një libër-album i veçantë, i cili bashkon një seri fotografish që duken si editoriale të modës dhe shkojnë përtej fotografisë tradicionale spiortive, të realizuara në emër të botimeve të njohura Assouline.

Për një kohë të gjatë, Parisi nuk kishte kurrë një klub futbolli të vërtetë elitar. Kjo më në fund ndryshoi në vitin 1970 kur një grup biznesmenësh përfunduan planin e tyre për të bashkuar Paris FC dhe Stade Saint Germain në një klub të vetëm të quajtur Paris Saint Germain. Çuditërisht, PSG fitoi menjëherë zemrat e turmës pariziane, e cila ishte në ekstazë që më në fund kishte një klub që mund të sfidonte për trofe vendas. Menjëherë pas promovimit në Ligue 1 në vitin 1972, klubi u transferua në Parc des Princes, stadiumi legjendar që është shtëpia e klubit sot e kësaj dite.

Pasi studioi shkencat politike, Julien Scussel vendosi të bënte një kthesë në karrierë dhe t’i përkushtohej fotografisë. Merret me portrete, fotoreporter, modë dhe reklamë, i nxitur nga aventurat njerëzore dhe i frymëzuar artistikisht nga kinemaja dhe pikturat klasike. Para se të shpërngulej në Paris, ai udhëtoi nëpër botë dhe shpesh xhiroi fushata reklamuese dhe agjenci modelimi në SHBA dhe Afrikën e Jugut. Estetika e tij fotografike është intime, precize dhe elegante, duke i mundësuar atij të punojë ngushtë me të famshëm dhe të bashkëpunojë me një sërë artistësh, sportistësh dhe figurash politike në mbarë botën. Scussel ka ndjekur ekipin PSG-së që nga viti 2016.

Asgjë nuk është e zakonshme në këtë libër-album. Legjenda e futbollit ndërkombëtar Pele së bashku me shkrimtarin dhe skenaristin francez David Foenkinos, një mbështetës i vendosur i klubit, prezantojnë informacione dhe imazhe ekskluzive, duke ngjallur të gjitha llojet e emocioneve faqe pas faqeje. Autori, skenaristi dhe muzikanti, David Foenkinos ka qenë në ballë të skenës letrare franceze që nga fillimi i viteve 2000. Ai ka drejtuar dhe ka kontribuar në një sërë filmash, duke përfshirë Jalouse (2017) dhe I Feel Better (2018), dhe është autor i më shumë se një duzinë romanesh, duke përfshirë Delicacy (2011) si dhe Vers la beaute (2018) dhe Deux soeurs (2019). “Projekti premton të jetë një imazh afatgjatë i klubit. Sigurisht që lojtarët janë fotografuar shpesh. Në këtë nivel të famës, shumica e jetës së tyre bëhet publike. Por këtu vepra është unike, për shkak të qëllimit të saj artistik. Disa foto ofrojnë një pamje nga afër, ashtu si një pikturë. Në disa foto lojtarët bëhen figura mitologjike. Fotografi Julien Scussel vëzhgon trupat dhe venat si skulpturat e perëndive të Olimpit” shkruan Foenkinos.

Vetëm në Paris, artet dhe sportet duken kaq plotësuese. Në vetëm pak vite Paris Saint-Germain është kthyer në një ikonë të kulturës moderne, një klub i gjeneratës së re që shkëlqen përtej fushave të futbollit dhe në imagjinatën e të gjithëve. Nga Parisi dhe New York, në Tokio dhe Doha, përfshihen të gjitha figurat ikonike që kontribuan në reputacionin e klubit: Beckham, Ibrahimovic, Cavani, Neymar Jr, Messi dhe Mbappe.


I kufizuar në 1000 kopje të numëruara, ky vëllim i kuruar bukur është punuar me dorë dhe nxjerr në pah lojtarët, ndeshjet dhe fitoret kryesore të klubit. I përfunduar dhe i mbështjellë me dorë, ai vjen në një kuti të hollë që e bën atë një libër unik me dosje. Është në dispozicion në anglisht dhe frëngjisht me një çmim prej 1,050 euro./ h.ll/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!