FOTO/ Goditi Berishën me grusht, i ënjtur dhe me pranga në duar, dhunuesit i komunikohet arrestimi në spital

schedule09:00 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 09:00 - 7 Dhjetor, 2022

Mbrëmjen e djeshme, Gert Shehut, 31-vjeçarit që sulmoi liderin e PD-së Sali Berisha, i është komunikuar arrestimi.

Siç duket dhe nga foto e siguruar nga Abc, Shehu me pranga në duar në spitalin e Traumës dhe i ënjtur firmos deklaratën e tij.

Gazetarja Xhensila Kodra, raporton se Shehu nuk ka dhënë deklarime të plota, por ka thënë se do të flasë në një moment të dytë.

Kujtojmë se Shehu goditi mesditën e djeshme Berishën, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës të thirrur nga opozita.

Pas sulmit, autori u neutralizua nga truprojat e Berishës të cilët e goditën me shkelma e grushta në fytyrë e pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar edhe dëmtime.
Agresori është identifikuar me emrin, Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë.

Fill pas ngjarjes, ai u shoqërua nga truprojat e Berishës drejt selisë së Partisë Demokratike dhe më pas u transportua me autoambulancë për mjekim më të specializuar në Spitalin e Trumës i shoqëruar edhe nga punonjës të policisë.

Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se 31-vjeçari Shehu është person me precedent  kriminal , për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve. Gjithashtu, sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët, ai vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh.

Por pas mbylljes së protestës, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se vërtetimi mjeko-ligjor është i falsifikuar dhe agresori është agjenti policisë kriminale dhe është përdorur nga qeveria për ta sulmuar. Burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije se, Shehu ka hematoma dhe krisje të kockës së hundës. Ai do të qendrojë i shtruar për të paktën dy ditë.

Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj liderit të partisë demokratike dhe ka kërkuar që autori të përballet me forcën e ligjit.

Sulmin e dënoi dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Lulzim Basha theksoi se dhuna është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë është shprehur e skandalizuar për sulmin fizik ndaj Berishës teksa ka kërkuar nga autoritetet ta hetojnë incidentin. Burime nga policia bëjnë me dije se, gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari ka deklaruar se pasi ka dalë nga banesa ka shkuar në Xhami e më pas është drejtuar në selisë e partisë demokratike për të pritur daljen e kreut të saj Sali Berisha për ta qëlluar me grusht.

Në dëshminë përballë uniformave blu, i riu është shfaqur në kushte të rënduara psikoligjoke teksa është shprehur se shkak për sulmin është bërë djali i dajës që sipas tij, ka qenë punonjës tek Demontimi i armëve në Gerdec dhe ditën ku ka ndodhur shpërthimi ka shpëtuar pasi ka pasur provim.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!