Foshnja që humbi gjatë evakuimit në Kabul bashkohet me familjen

schedule20:10 - 9 Janar, 2022

schedule 20:10 - 9 Janar, 2022

Një djalë i vogël i ndarë nga prindërit e tij gjatë kaosit të evakuimit amerikan nga Afganistani më në fund është ribashkuar me familjen e tij.

Talebanët sapo kishin marrë kontrollin e vendit në gusht dhe shumë afganë po përpiqeshin dëshpërimisht të iknin sa më parë.

Sohail Ahmadi, atëherë dy muajsh, iu dorëzua një ushtari amerikan mbi një gardh, për ta mbrojtur, ndërsa mijëra njerëz shtyheshin për të hyrë në aeroportin e Kabulit, shkruan BBC.

Por kur familja e tij u fut brenda në aeroport, Sohail nuk gjendej askund. Pas kërkimit që rezultoi i kotë, për foshnjën, babai i tij Mirza Ali Ahmadi, i cili kishte punuar si roje sigurie në ambasadën amerikane, nëna Suraya dhe katër fëmijët e tjerë të tyre u dërguan në një fluturim evakuimi për në SHBA.

Për muaj të tërë ata nuk e kishin idenë se ku ishte djali i tyre i vogël. Por pasi lexoi një raport të Reuters mbi kërkimin e familjes për Sohail, në nëntor ai u gjurmua në shtëpinë e një taksisti 29-vjeçar të quajtur Hamid Safi.

Safi tha se kishte gjetur Sohail vetëm dhe duke qarë në tokë në aeroport, tha agjencia e lajmeve. Pasi u përpoq të gjente familjen e djalit, ai vendosi ta çonte në shtëpi te gruaja dhe fëmijët e tij dhe ta rriste si djalin e tij.

Ata e quajtën foshnjën Mohammad Abed dhe postuan foto të të gjithë fëmijëve së bashku në faqen e Safi në Facebook.

Kur u konfirmua vendndodhja e Sohail, gjyshi i foshnjës, Mohammad Qasem Razawi, i cili jeton në provincën verilindore të Badakhshan, bëri një udhëtim të gjatë në Kabul për të kërkuar që fëmija të kthehej.

Megjithatë, Safi refuzoi të dorëzonte foshnjën dhe kërkoi që ai dhe familja e tij gjithashtu të evakuoheshin në SHBA, sipas Reuters.

Pas shtatë javësh negociata dhe një ndalim të shkurtër të Safi, policia talebane organizoi një zgjidhje midis dy familjeve dhe foshnja iu kthye gjyshit të tij të shtunën, raportoi Reuters.

Prindërit e tij thanë se ishin shumë të lumtur pasi panë ribashkimin përmes video-chat. “Ka festime, valle, këndim,” tha Razawi. “Është vërtet si një martesë.”

Ata shpresojnë se së shpejti do të bëhen marrëveshje që Sohail t’u sillet atyre në shtetin amerikan të Miçiganit, ku janë vendosur tani. g.v/abcnews.al