Forumi rinor i Ballkanit Perëndimor: Si mund të mbahet në atdhe rinia?

schedule09:35 - 14 Tetor, 2018

schedule 09:35 - 14 Tetor, 2018

Përfundon në Tiranë “Voice Up”- Forumi i Rinisë së Ballkanit Perëndimor me një mesazh shpresëdhënës megjithë fenomenin masiv të emigrimit: Rinia e Ballkanit Perëndimor do ta marrë në dorë transformimin ekonomiko-social.

Një lëvizje e re e rinisë nga poshtë-lart, në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (BP), synon të kontribuojë për ndryshime në politikat e zhvillimit që rinia të ketë perspektivën e jetës dhe të ardhmen në vendin e vet. Kongreset Kombëtare të Rinisë në Bosnjë-Herzegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri kanë ngritur “Platformën e Bashkëpunimit të Rinisë në BP”. Janë disa qindra mijra të rinj dhe të reja pjesëmarrës në këtë platformë online. Kongreset Kombëtare  të Rinisë janë struktura ombrellë, që përfaqësojnë disa dhjetëra organizata rinore (grass-roots), në secilin vend të BP. Platforma mundëson konsultime, u  jep zë ideve dhe kërkesave të rinisë në BP dhe ka në fokus ҫështjen e nxehtë të frenimit të emigrimit masiv të rinisë drejt Europës Perëndimore dhe SHBA. Platforma rajonale mbështetet financiarisht nga fondacioni gjerman „Hans Seidel” dhe  koordinohet nga Instituti për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Tiranë.

Krisela HaҫkajDrejtorja Ekzekutive e këtij Instituti, Krisela Haҫkaj thotë për DW: “Platforma e Bashkëpunimit të Rinisë në BP ka një qasje novatore pasi është e drejtuar nga baza – lart. Kryejmë aktivitete të përbashkëta, për objektiva të përbashkëta në nivel rajonal. Synimi është që përmes platformës të rinjtë dhe të rejat në 6 vendet e BP të lidhen, të shkëmbejnë përvoja, të fuqizohen dhe të rrisin ndikimin tek politikanët drejtues që të realizojnë ndryshime progresive dhe t’i hapin rrugën një mendësie të re, që nxit zhvillimin dhe hap perspektivën e jetës së rinisë në atdhe”.

Transformimi i BP fillon nga mendësia

Aktiviteti i parë publik i kësaj lëvizjeje është  Forumi „ Voice up” për ҫështjet e emigrimit të rinisë që përfundoi  të premten (12.10.2018) në Tiranë. Përfaqësues nga Kongreset Kombëtare të Rinisë në 6 vendet e BP, fitues të konkursit të eseve „Tre arsye për të qëndruar në vendin tim”, politikanë që merren me ҫështjet e rinisë diskutuan sesi mund të frenohet ikja e rinisë, sesi mund t’i realizohen aspiratat dhe sigurohet e ardhmja në atdhe që në fund të fundit, rinia të luajë rolin që i takon në transformimin ekonomiko-social të rajonit, që ai t’i afrohet  standarteve të kërkuara ekonomiko-sociale për të hyrë në BE.

Klaus Fiesinger, Drejtor i Fondacionit ” Hans Seidel” për Europën Jug-Lindore, pjesëmarrës në Forumin e Tiranës, tha për DW se  Platforma dhe Forumi kanë në thelb bashkëpunimin, ndërlidhjen që është komponenti më i dukshëm i  Procesit të Berlinit. “Qëllimi kryesor i Fondacionit ” Hans Seidel” është të mbështesë BP në procesin e transformimit të tij ekonomik dhe social. Transformimi fillon nga njerëzit, ata duhet të ndryshojnë mendësinë, të ndërmarrin politika, hapa konkrete për të ndaluar ikjen e rinisë. Kush do ta bëjë transformimin e BP po nuk e bëri rinia? Rinia  ka energjinë dhe potencialin të kryejë transformimin . Që ky potencial të realizohet duhet që rinisë t’i sigurohet e ardhmja në vendin e saj.  Rinia duhet të vendosë se ҫfarë duhet bërë, ҫfarë është e nevojshme” thekson për DW , Klaus Flesinger

Klaus Fiesinger, drejtor i Fondacionit ” Hans Seidel” për Europën Jug-Lindore

Pse emigron në masë rinia e BP?

Ballkani Perëndimor po braktiset nga rinia. Ky nuk është perceptim, por fakt i shprehur me shifra dhe fakte. Banka Botërore në raportin e saj 2018 shkruan se 1/3 e popullsisë së BP ka emigruar. Diskutimet nga pjesëmarrësit në Forumin “Voice Up” në Tiranë, u ndalën edhe në arsyet kryesore të emigrimit të  rinisë: Pakënaqësi nga cilësia dhe niveli i sistemit arsimor universitar, papunësi e  lartë dhe paga të ulta, politika që nuk u përgjigjen nevojave dhe aspiratave të rinisë së sotme.

Isidora Lazić nga Serbia

Dua të jem pjesë e transformimit

Por në këtë tablo të zymtë ikjeje ka shpresë për ndryshim: Rinia ka filluar të kuptojë që ka ndryshimin në dorë, se duhet  të angazhohet që ai të ndodhë. Lëvizja e re e bashkëpunimit rajonal të rinisë nga poshtë –lart po kontribon që rinia të kuptojë se ka një shans historik që nuk duhet ta humbasë: shansin për të vënë ernergjinë e moshës në transformimin e vendit, shansin që të vihet në krye për rritjen ekonomike dhe krijimin e kushteve që të mos emigrojë  apo që përvojat dhe dije profesionale të marra në Perëndim t’i vërë në shërbim të vendit duke u rikthyer në atdhe.

Jovica Jankovic nga Maqedonia

Isidora Lazić, nga Beogradi, një nga fitueset e konkursit të eseve ” Tri arsye për të qëndruar në vendin tim”, pjesëmarrëse në Forumin e Tiranës,  e sapokthyer nga një master në Londër, thotë për DW: „Nuk jam e kënaqur me sistemin arsimor që ka në universitetet e Beogradit. Në Londër kuptova se edhe në Serbi duhet  të ketë një sistem arsimor fleksibël që të plotësojë kërkesat e rinisë. Dua të marr pjesë në lëvizjen që sistemi arsimor të ndryshojë. Dëshëroj që sa më shumë të rinj dhe të reja serbë të kenë përvojën time dhe të rikthehen në Serbi për t’u bërë pjesë e ndryshimit. Jam e lumtur të jetoj në Beograd”.

Ndërsa Jovica Janković nga Shkupi ndjen se ka  ҫfarë t’i japë vendit të tij. „ Dua të qëndroj në Maqedoni për dy arsye:  kam pasion dhe potencial të kontriboj për ndryshim, për ta bërë vendin tim, Maqedoninë ,një vend më të mirë. Jam pjesë e lëvizjes rinore  rajonale, bashkë mund të sjellim ndryshimin. Së dyti.. më pëlqen vendi im, ndihem mirë në familjen, komunitetin ku jetoj”, thotë Jovica për DW.

Drita Dibrani nga Kosova

Drita Dibrani , jeton në Vushtrri, në Mitrovicë dhe studion për inxhinieri informatike në Universitetin e Mitrovicës.  Ajo është një nga anëtaret më aktive të Lëvizjes rajonale të rinisë. „Dua të shkoj për master  dhe mbroj doktoraturën në Europën Perëndimore. Por dua të kthehem në Kosovë, dua të jem pjesë e ndryshimit të Kosovës sidomos e politikës. Nëse ndryshon politia në Kosovë atëhere ndodhin edhe ndryshimet e tjera në arsim e kudo. Pse të mos marr pjesë edhe unë në  këtë ndryshim? Nuk dua t’ia heq vetes këtë shans.” / DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!