Forumi Rajonal i OBSH për Shëndetin e të Rinjve në Tiranë, Manastirliu-Kluge: Vaksinim i njëkohshëm kundër gripit dhe Covid-19

schedule12:06 - 26 Tetor, 2022

schedule 12:06 - 26 Tetor, 2022

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Rajonin Europian kanë mbajtur një konferencë për shtyp, në kuadër të Forumit Rajonal të OBSH për Shëndetin e të Rinjve që po zhvillon punimet në Tiranë. Në hyrje të konferencës për shtyp ministrja Manastirliu e ka cilësuar këtë Forum një mundësi për të bërë bashkë të rinjtë pasi synon rritjen e përfshirjes së të rinjve në vendimarrje për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Duke dhënë lajmin e mirë se nga 1 nëntori do të fillojë aplikimi i vaksinës HPV, Manastirliu tha:

“Kemi bërë të mundur që duke filluar nga ky vit dhe pikërisht nga data 1 nëntor e këtij viti ne të përfshijmë në kalendarin tonë të vaksinimit dhe vaksinën kundër human papilloma virusit. Një vaksinë e cila mbron shëndetin e vajzave sot dhe grave nesër sepse kjo është një vaksinë efektive kundër virusit humanpapilloma. Gjithashtu është një vaksinë efektive në raport me kancerin e qafës së mitrës, duke reduktuar 90 deri në 100% këtë kancer të rrezikshëm. Ky është një program i cili mundëson që të gjitha vajzat të cilat kanë lindur nga data 1 janar e vitit 2009 të mundet të vaksinohen. Plani për vaksinimin e vajzave në qendrat shëndetësore po organizohet me ISHP-në  dhe me OSHKSH. Dhe ne jemi të bindur që do të jetë pikërisht një armë shtesë në luftën kundër kancerit”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se së shpejti pritet të vijnë rreth 700 mijë doza booster të vaksinës anticovid dhe foli edhe për vaksinën e gripit.

“Edhe pse shihet që ka një kontroll të pandemisë edhe kjo i dedikohet pikërisht armës më të fuqishme që sot ne kemi, që është vaksina, ne jemi në pritje të mbërritjes së dozave booster, pra dozave përforcuese përsa i përket vaksinimit kundër covid. Tashmë dhe nëpërmjet një amendimi që po bëjmë me kompaninë Pfizer nëpërmjet tyre ne do të kemi mundësi që deri në 700 mijë doza të vaksinave të jenë pikërisht vaksinat përforcuese, të planifikuar për të gjitha ato grupe risku por këtu përfshijmë edhe të rinjtë”, tha Manastirliu.

Në përgjigjie të interesit të gazetarëve, Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge tha se është shumë e rëndësishme që të kryhet vaksinimi si për Covid19 ashtu edhe për gripin sezonal, sidomos tek njerëzit më vulnerabël.

“Dy vitet e fundit kemi pasur një influencë gripale të ulët pasi në shumë vende janë zbatuar masa shëndetësore strikte, që përfshijnë distancën, maskën, ajrimin e ambienteve, etj. Tani që këto masa janë ulur, edhe imuniteti i popullisë europiane ndaj gripit është ulur, sepse trupi nuk ka qenë shumë në kontakt me gripin. Ne shohim llogjikisht një pik. Prandaj është shumë e rëndësishme atë që ne e quajmë bashkë-administrim, për të pasur dy vaksinat për njerëzit vulnerabël, një dozë booster të dytë për covid19 dhe për gripin”, u përgjigj. Dr. Kluge.

Forumi për Shëndetin dhe Mirëqenien e të Rinjve po zhvillon punimet e tij në Tiranë nga data 25-27 Tetor, i cili mbledh bashkë qindra të rinj nga 42 vende të Botës, së bashku me qeverinë dhe partnerët e shoqërisë civile, për t’u angazhuar në dialog të vërtetë, për të krijuar besim dhe për të gjetur mënyra më të mira për të përfshirë të rinjtë në vendimet e politikave që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqënien e tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!