Forumi në Davos, Kissinger: Nuk ka më arsye që Ukraina të mbahet jashtë NATO-s

schedule22:32 - 17 Janar, 2023

schedule 22:32 - 17 Janar, 2023

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, tha më 17 janar se pushtimi rus tregon se nuk ka më arsye që Ukraina të mbahet jashtë NATO-s. Dikur ai kundërshtonte këtë aspiratë të Kievit.

Kissinger së fundmi ka avokuar për një armëpushim në luftën në Ukrainë, që në fakt do të pranonte disa nga fitoret ushtarake të Rusisë.

Por, duke folur përmes video-lidhjes në Forumin Botëror Ekonomik në Davos, Kissinger tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte “rezultati i duhur”.

“Para luftës, unë kam kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO sepse kam pasur frikë se një gjë e tillë do të niste pikërisht këtë proces që tani ne po shohim”, tha Kissinger.

“Tani që ky proces ka arritur në këtë nivel, ideja e një Ukraine neutrale nën këto kushte nuk ka më kuptim”, shtoi ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka përshkruar aspiratat e Ukrainës për në NATO si kërcënim, teksa ai ka justifikuar pushtimin e Ukrainës që e nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë insistuar se vendimi për aplikim për në aleancën ushtarake i përket Ukrainës. Por, shtetet evropiane kanë qenë më të kujdesshme dhe më ngurruese që të ofrojnë mbështetjen e tyre për një anëtarësim eventual të Ukrainës në NATO, pasi ky shtet ka qenë në konflikt në shkallë më të vogël me Rusinë që nga viti 2014.

Kissinger, në një ese të publikuar në revistën britanike The Spectator muajin e kaluar, paralajmëroi se konflikti në Ukrainë kishte ngjashmëri me vitin 1914, kur fuqitë botërore pa dashje përshkallëzuan situatën duke nxitur një luftë botërore.

Ai bëri thirrje për një armëpushim, në të cilin Rusia do të tërhiqej nga vijat e frontit që ishin para pushtimit, por jo më tej, duke qëndruar në lindje të Ukrainës dhe në Gadishullin e Krimesë, që Moska e aneksoi më 2014. Ai tha se kështu do të liheshin territore të hapura për negociata të mëvonshme.

Në Davos, Kissinger tha se është e rëndësishme që “lufta të mos shndërrohet në luftë kundër vetë Rusisë” dhe “t’i jepet Rusisë një mundësi për t’u bashkuar me sistemin ndërkombëtar”.

Sipas tij, një proces diplomatik mund të ndihmojë Rusinë “të rivlerësojë pozicionin e saj historik, i cili është një përzierje midis tërheqjes për kulturën e Evropës dhe nga frika e dominimit nga Evropa”./REL