Forumi mbi sfidat gjeopolitike në Evropën Juglindore në Kongresin Amerikan

schedule15:13 - 7 Shkurt, 2018

schedule 15:13 - 7 Shkurt, 2018

Sfidat gjeopolitike në Europën juglindore ishin në qendër të diskutimeve të forumit të mbajtur në një nga sallat e kongresit amerikan. Pjesëmarrësit, përfaqësues politikë të këtyre vendeve, u bënë apel Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të jenë më active në rajon.

Është zhvilluar në një nga mjediset e Kongresit amerikan forumi mbi sfidat gjeopolitike në Evropën Juglindore. Pjesëmarrësit ku përfshiheshin ligjvënës amerikanë, si edhe politikanë të rajonit dhe vendeve evropiano-perëndimore, shprehën shqetësimin rreth përpjekjeve ruse për ndërhyrje në rajon dhe ndikimin që mund të kenë rrethana të tjera gjeopolitike në botë tek stabiliteti në rajon.

Përballë sfidave të brendshme të jashtme me të cilat përballet Evropa Juglindore, politikanët e këtyre vendeve kërkuan që Shtetet e Bashkuara të jenë më aktive në rajon. Ish-ministri i Mbrojtjes dhe kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu ishte një nga organizatorët e forumit.

Ai tha se “çështjet e para kanë të bëjnë me mënyrën e qeverisjes në vendet tona që kanë të bëjnë me respektimin e lirive, procesin zgjedhor, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastaj partneritetin dhe fokusin tonë si vend anëtar i NATO-s apo të ardhmen evropiane”.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, Besim Beqaj theksoi nga ana e tij rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike në rajon në funksion të stabilitetit.

Ligjvënësit amerikanë si senatorët Jim Inhofe dhe Roger Wicker dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Michael Turner, shprehën shqetësimin për veprimet e Rusisë dhe thanë se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara në stabilitetin e Evropës Juglindore.

George Tsereteli, President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, tha se bashkëpunimi është i nevojshëm për të përballuar të gjitha problemet që shqetësojnë rajonin.

Në këtë forum që trajtoi çështje jetike për Evropën Juglindore, mendimet që shprehën pjesëmarrësit, nxorrën në pah jo vetëm nevojën për diskutimin e sfidave gjeopolitike ballë për ballë, por edhe se sa i varur është stabiliteti rajonal dhe botëror tek marrëdhëniet mes vendeve dhe dy anëve të Atlantikut./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!