Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dy ditë më parë i dërgoi letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit për të diskutuar për dialogun me Serbinë.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i LVV’së, Arlind Manxhuka. Përmes një postimi në Facebook ai ka shkruar se nuk iu janë përgjigjur ftesës së Hotit dhe nuk do të marrin pjesë në takimet e thirrura nga kjo qeveri.
“Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi pranuar një letër para dy ditësh ku ftohej Kryetari i LVV, Albin Kurti që të diskutojë me qeverinë aktuale për dialogun e ardhshëm me Serbinë. Një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe dhe e formuar nga Thaçi e për të si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinë nuk ka as kredibilitet as legjitimitet. Prandaj ne nuk i jemi përgjigjur asaj ftese sepse nuk do të jemi pjesë të këtyre takimeve”, kanë deklaruar nga Vetëvendosje.