Porti në Porto Romano, bazë e NATO/ Balluku: Kompani europiane, interes për investime

schedule15:12 - 31 Tetor, 2024

schedule 15:12 - 31 Tetor, 2024

Porti i ri i porto Romanos në Durrës synon të kthehet në një bazë të Natos. Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e Rojeve Bregdetare të Mesdheut, tha se investimet në infrastrukturë kritike siç janë portet janë një ndër qëllimet kryesore të qeverisë.

Balluku u shpreh se për ndërtimin e Portit të Ri në Durrës ka pasur interes nga kompani të njohura europiane.

“Në republikën e Shqipërisë infrastrukturat kritike janë gjithmonë të mirëpritura nga aleatët tanë apo nga shtetet evropiane. Kështu që në këtë garë, ne kemi nisur këtë proces, kemi evidentuar kompani të mëdha europiane të cilat do të vijnë për të investuar bashkërisht në vendin tonë për ngritjen e një nga porteve më moderne në zonën e Durrësit, i cili synon jo vetëm të akomodojë volumet tregtare, por në aspiratat tona është që të kthehet dhe një nga bazat më të rëndësishme të NATO-s në të ardhmen.”, tha ministrja.

Zv.kryeministrja tha se një port tjetër i ri po ndërtohet në Vlorë një tjetër zonë shumë strategjike si për turizmin, ashtu edhe për sigurinë.

“Gjithashtu do të përmendja edhe një port tjetër, i cili po ndërtohet në ndërkohë në zonën shumë strategjike do të thoja, si për turizmin, ashtu edhe për sigurinë kombëtare të Vlorës. Porti i Triportit, dikur një port peshkimi, i cili po kthehet në një port tregtar modern, të rëndësishëm, ku do të integrohen një sërë procesesh të industrisë detare, apo edhe njësi të tjera të marinave komerciale që do të shtrihen përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. “, tha Balluku.

Aktualisht Shqipëria, në kuadër të integrimit evropian, po realizon përafrimin e rregulloreve dhe legjislacionit të Rojës Bregdetare me ato të standardeve të Bashkimit Europian./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!