Sezoni i ri, “pasqyrë” e të vjetrit. Kështu mund të konsiderohet gara e parë e ediconit të ri, të garave më prestigjiozes automobilistike, Formula 1, me “tulipanin” holandez, Max Verstappen dhe “Red Bull”-in e tij, që kanë dominuar, në Çmimin e Madh të Bahreinit, teksa pas sigurimit, të “pole position” arriti të dalë triumfator, pas 57 xhirove në pistën e parë të kalendarit.
Holandezi nuk e vendosi kurrë në dyshim triumfin në garën e parë sezonale, teksa në intervistë u shpreh se ai dhe makina ishin bërë një në pistë. Tre herë Kampioni i Botës theksoi se e shijoi së tepërmi performancën e “Red bull”-it të tij dhe se gjithçka shkoi më mirë nga sa e kishte parashikuar.
“Ishte një garë të cilën e shijova shumë. Makina pati një balancë perfekte, këtë sukses e bën më të bukur edhe vendi i dytë i Perez. Mënyra më e mirë e mundshme për të nisur sezonin e ri. Sa i përket garës, starti ishte shumë i mirë. E kishim përgatitur skenarin për në kthesën e parë, mbrojta pjesën e brendshme sepse e dija se Leclerc do të sulmonte aty.
Nga ai moment e mbrapa nuk pati probleme. Gjithçka shkoi më mirë edhe nga sa e kishim parashikuar. Makina ishte në gjendje maksimale, kishim një ritëm të shkëlyqer. Ishte një nga ato ditë kur e shijon pistën. Por, këto ditë nuk është se përsëriten shpesh ndaj duhet të mbetemi të fokusuar. Të gjitha ishin perfekt, në pistë, unë dhe makina ishim një”,- u shpreh 26-vjeçari. /i.m /abcnews.al