Formula 1/ RedBull “blindon” meksikanin, Sergio Perez rinovon me kampionët deri në vitin 2026

schedule21:16 - 4 Qershor, 2024

schedule 21:16 - 4 Qershor, 2024

Që prej vitit 2021 është pjesë e skuderisë së “RedBull”, teksa ka arritur të koleksionojë pesë fitore dhe 29 podiume. Meksikani Sergio Perez ndihmoi skuadrën e tij të fitonte dy kampionatet e fundit të botës si ekip dhe aktualisht zë vendin e pestë në klasifikimin për pilotë me 107 pikë, 62 pas shokut të tij të skuadrës, Max Verstappen.

Të tilla rezultate kanë bërë që skuadra e tij t’i rinovojë kontratën 34-vjeçarit, me skuderinë që ka njoftuar këtë të martë shtyrjen e kontratës së meksikanit deri në vitin 2026, rinovim që ka lumturuar jo pak Perez dhe këtë gjë nuk e fshehu as në komentin e tij për mediat, për firmosjes së kontratës së tij të re.

“Jam shumë i lumtur që e përkushtoj të ardhmen time në këtë ekip të madh. Është një sfidë si asnjë tjetër, si në pistë ashtu edhe jashtë saj. Jam shumë i lumtur që qëndroj këtu për të vazhduar rrugëtimin tonë së bashku dhe për të kontribuar në historinë e madhe të këtij ekipi edhe për dy vite të tjera.

Të jesh pjesë e ekipit është një sfidë e madhe, të cilën e dua. Kemi një sfidë të madhe këtë vit dhe kam besim të plotë në të gjithë ekipin, pasi e ardhmja është e ndritshme dhe jam i emocionuar që jam pjesë e saj. Dua të falënderoj të gjithë për besimin që kanë tek unë, është shumë dhe dua ta shpërblej me rezultate të shkëlqyera brenda dhe jashtë pistave. Mendoj se kemi shumë punë për të bërë, kemi shumë kampionate për të fituar së bashku”,- u shpreh piloti i Formula 1.

Disa fjalë për faqen zyrtare të skuadrësi i ka thënë edhe CEO i skuderisë “RedBull”, Christian Horner, ku u shpreh se rinovimi erdhi në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit, për skuadrën e tij, duke rikonfirmuar edhe një herë ambieciet e vendosura për këtë edicion të garës më prestigjioze për makina.

“Tani është një kohë e rëndësishme për të konfirmuar ambiciet tona për vitin 2025 dhe ne jemi shumë të kënaqur që vazhdojmë të punojmë së bashku me “Checon”. Perez pati një fillim të fortë në 2024 me vendet e dyta në Bahrein, Arabinë Saudite dhe Japoni dhe më pas një përfundim në podium (i treti) në Kinë. Garat e fundit kanë qenë të vështira, por ne kemi besim te “Checo” dhe shpresojmë që ai të kthehet në formën dhe performancën e tij të dëshmuar, të cilën e shohim kaq shpesh”,- tha Horner. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!