Formula 1/ McLaren dominon Singaporin, Lando Norris rihap garën për titullin kampion

schedule18:36 - 22 Shtator, 2024

schedule 18:36 - 22 Shtator, 2024

Kampionati i Formula 1 mund të cilësohet i hapur përsëri.

Britaniku Lando Norris ka arritur të zërë sërish vendin e parë në podium, këtë herë në Çmimin e Madh të Singaporit, duke shkurtuar goxha diferencën me kampionin në fuqi, holandezin Max Verstappen.

Ashtu siç pritej, Norris ishte i pakapshëm nga të tjerët, duke krijuar menjëherë diferencën dhe duke mos i lënë kohë rivalëve. Të vetmet momente ku ai ishte në dyshim, ishin ato kur me një diferencë mbi 25 sekonda në kryesim, rrezikoi më kot të përplasej me muret e pistës.

Vershtapen ndërkohë u shfaq shumë i lumtur në fund të garës me vendin e dytë, në një moment kur makina e tij nuk është se po shkëlqen. Ai minimizoi dëmet në garë pasi së shpejti pritet të bëhen modifikime në njëvendshen e tij dhe do t’i lejojnë të administrojë më mirë në 6 garat e fundit avantazhin prej 52 pikësh që ka në renditje.

Vendi i tretë i shkoi pilotit tjetër të McLaren, Oscar Piastri, i cili u konfirmua si një pilot me shumë perspektivë, pasi di të shfrytëzojë në maksimum potencialin aktual të makinave, të cilat janë shkëputur në vendin e parë në renditjen e konstruktorëve.

E katërta ishte makina Mercedes e George Russel, ndërsa Leclerc me “kokëkuqen”, Ferrari doli i pesti, i penalizuar nga kualifikueset e dobëta që bënë të nisej nga vendi i 9. Hamilton doli i 6-i, i ndjekur nga Sainz, Alonso, Hulkenberg dhe Perez të cilët plotësuan zonën e pikëve. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!