Superkupa e Spanjës ka ndërruar format dhe sivjet po zhvillohet ndryshe. Jo më një finale teke mes fituesit të kampionatit dhe Kupës së Mbretit, por katër ekipe që garojnë mes tyre: dy vendet e para në kampionat dhe fituesi e finalisti i Kupës së Mbretit.
Kompeticioni zhvillohet në Arabinë Saudite dhe gjysmëfinalja e parë u luajt mbrëmjen e kaluar. Real Madrid mposhti 3-1 Valencian dhe pret në finalen e 12 janarit Atletico Madrid ose Barcelonën, që ndeshen mes tyre sonte në mbrëmje (20:00).
Trajneri i ekipit katalanas, Ernesto Valverde është ankuar në lidhje me formatin e ri, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Dani Carvajal. Mbrojtësi i Realit ka folur për Goal pas fitores me Valencian. Replika me Valverden nuk mungon, formati i ri i pëlqen dhe 27-vjeçari e shpjegon kështu mendimin e tij.
“Nëse Valverde nuk është dakord me këtë format të Superkupës, le të bëjë një ankesë zyrtare. Dihej që në shkurt kjo gjë… Kjo Superkupë është diçka ndryshe, është një risi. Atmosfera është e ndryshme, kjo është e sigurt.
Më ka ndodhur ta luaj edhe në gusht këtë kompeticion dhe shumë tifozë ishin ende me pushime. Atmosfera nuk ka qenë më e mira. Duam ta fitojmë këtë trofe, është objektivi ynë, kemi ardhur këtu për ta fituar. Jemi në finale dhe shpresojmë të shkruhet emri i Real Madrid si fitues“, përfundon Dani Carvajal. /abcnews.al