Formacioni i Shqipërisë, Edoardo Reja ka vetëm dy dilema

schedule15:16 - 17 Nëntor, 2019

schedule 15:16 - 17 Nëntor, 2019

Shqipëria pritet të luajë me 5 ndryshime ndaj Francës, në duelin e sotëm në “Air Albania Stadium”. Trajneri Reja forcon mesfushën për duelin me kampionët e botës në eliminatoret e Europianit.

Do të synojë suksesin, por duke bërë kujdes. Nuk ka ndërmend të kalojë në aventurë Edi Reja, në duelin ndaj kampionëve të botës, edhe pse luhet në shtëpi, ndaj edhe formacioni do të ketë ndryshime në krahasim me Andorrën.

Kombëtarja shqiptare luan me të njëjtën skemë edhe ndaj Francës, 3-5-2, veçse në duelin e parë në “Arenën Air Albania”, pritet të ketë 5 ndryshime. Në mbrojtje, për sfidën e fundit të eleminatoreve të Europianit, kthehet Dermaku, pranë Gjimshitit, ndërsa dyzimi është për aktivizimin e Veselit apo Ismajlit.

Ndryshim i rëndësishëm në krah, me Roshin që ulet në stol, për t’i lënë vendin lojtarëve që japin më shumë garanci në fazën mbrojtëse si Hysaj e Lenjani. Qendra e mesfushës mendohet se do të jetë shumë më e fortë, pasi Gjasula kthehet nga pezullimi, ndërsa Bare do të ketë rolin e titullarit.

Dyshimi i vetëm është nëse Memushaj mund të përballojë edhe një ndeshje tjetër, apo do të duhet të pushojë, ndaj Reja mendon edhe për Qosen. Sulmi nuk pritet të ketë lëvizje dhe kjo edhe sepse mungojnë dy alternativa të mëdha si Sadiku e Cikalleshi.

Dyshja është po ajo që e nisi që nga minuta e parë në “Elbasan Arena”, Manaj e Balaj, të dy autorë golash ndaj Andorrës. Siç deklaroi edhe Reja, Shqipëria do të tregohet e kujdesshme në fazën mbrojtëse dhe do të përpiqet ta godasë Francën në kundërsulm, ose në sulm të shpejtë, sa herë t’i jepet rasti. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!