Kryeministri Edi Rama, në fjalën që mbajti në konferencën e ambasadorëve të Shqipërisë, njoftoi misione të reja diplomatike në Indonezi dhe Kenia.
Duke u ndalur te marrëdhëniet me vendet e tjera, Rama veçoi Italinë, Greqinë e Turqinë si shtete mike dhe partnerë strategjikë ndërsa shtoi se duhet bërë më shumë për t’i forcuar më shumë ato.
Kreu i qeverisë u shpreh se ligji i ri i shërbimit të jashtëm është një domosdoshmëri, për të përfshirë të gjithë asetet shqiptare që jetojnë jashtë.
“Leximi i të ardhmes me sytë e së shkuarës, nuk na takon. Ne lexojmë të shkuarën me sytë e të ardhmes, kjo është pika kyçe mbi të cilën ngremë ndërveprimet me rajonin. Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Turqinë, Greqinë. Nga ana tjetër, në aspektin e volumit të tregtisë, ne mund të bëjmë shumë më tepër. Hapësira e BE-së është hapësira më natyrale për marrëdhëniet tona tregtare, por mos të harrojmë që kemi miq dhe miqësira të mira që i kemi forcuar ndjeshëm dhe duhet të kërkojmë më shumë, në radhë të parë nga vetja me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Azerbajxhani, që janë tre vende që ushqejnë ndjenja miqësore. Edhe me Kuvajtin, që është një mik nga më të vjetrat dhe me Katarin. Nga ana tjetër, kemi arsye të vazhdojmë me hapjen e dyerve të misioneve të reja, në Indonezi, me të cilën kemi vendosur një marrëdhënie që ka një potencial të madh, ashtu sikurse edhe Filipinet. Nëse arrijmë të kultivojmë si duhet raportet, besoj se do të bëjmë kapërcimin e radhës. Edhe në Afrikë jemi të munguar dhe besoj është e drejtë të hapim derën e parë në Kenia, na duhet për shumë arsye, me e thjeshta është për të mbështetur njohjen e Kosovës”, tha Rama./abcnews.al