Komanda Evropiane e Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, e njohur me akronimin SOCEUR, ka njoftuar të enjten që do të themelojë një bazë ushtarake në Shqipëri për të rritur efikasitetin e pranisë së saj.
Gjeneralmajor David H.Tabor, komandat i SOCEUR, tha se vendosja e bazës në Shqipëri mundëson forcimin e partneriteteve me aleatët e Aleancës Veri-Atlantike (NATO) në rajon dhe “rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”.
“Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”, tha David H.Tabor.
SOCEUR theksoi se ky shtab pararojë do të funksionojë me rotacion.
Ambasada amerikane në Tiranë e quajti këtë vendim një “gurthemel për stabilitetin rajonal”.
Sipas deklaratës së SOCEUR-it, vendndodhja e selisë në Shqipëri “do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik”.
Komanda amerikane theksoi se vendimi është bërë i mundur nga Qeveria shqiptare dhe profesionalizmi i ushtrisë së saj.
“Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-ja gëzon një marrëdhënie të fortë me Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm”, thuhet në deklaratë.
Gjatë verës, Shqipëria ka qenë nikoqire e ushtrimeve më të mëdha të ushtrisë amerikane dhe NATO-s në Evropë. Stërvitjet e koduara si “Defender-Europe 21” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja.
Vendimin e SOCEUR-it për vendosjen e shtabit pararojë e përshëndeti kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur “super-lajm” për të cilin “kemi disa kohë që punojmë”.
“Është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë, shprehje e bashkëpunimi shumë të afërt”, tha kryeministri Rama.
Vendimi për ngritjen e shtabit pararojë të dislokuar në Shqipëri, vjen pas tensionimit të raporteve midis SHBA-së dhe Rusisë rreth kërcënimeve ruse në Ukrainë .
Para pak ditësh, presidenti amerikan, Joe Biden, i dha garanci presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky që SHBA-ja dhe aleatët e saj do t’i përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton Ukrainën – vërejte që pasoi thirrjen administratës amerikane ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i ulur tensionet e krizës ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën.
Zyrtarët rusë dhe amerikanë pritet të takohen gjatë këtij muaji në Gjeneve për një zgjidhje diplomatike.
Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa në afërsi të kufirt me Ukrainën dhe inteligjenca amerikane ka parashikuar se Rusia mund të fillojë një ofensivë ushtarake gjatë pjesës së parë të vitit 2022./ REL