Forcat ruse sulmojnë supermarketin në Kharkiv, 11 të vdekur dhe disa të plagosur

schedule09:50 - 26 Maj, 2024

schedule 09:50 - 26 Maj, 2024

Të paktën 11 persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur pasi forcat ruse goditën një supermarket në qytetin verior të Ukrainës, Kharkiv, thonë zyrtarët lokalë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbi 200 persona mund të kishin qenë brenda supermarketit kur u sulmua. Të dielën, guvernatori i Kharkiv, Oleh Syniehubov tha se numri i të vdekurve ishte rritur në 11.

Më parë ai kishte njoftuar se gjashtë persona humbën jetën në vend dhe 40 të tjerë u plagosën dhe 16 persona mbetën të zhdukur, raporton media britanike BBC.

Kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov tha: “Një numër i madh njerëzish janë të zhdukur. Ky është terrorizëm i pastër.” Presidenti Zelensky shtoi: “Kjo goditje në Kharkiv është një tjetër manifestim i çmendurisë ruse.

“Vetëm të çmendurit si presidenti rus Vladimir Putin janë të aftë të vrasin dhe terrorizojnë njerëzit në këtë mënyrë.”

Një sulm i dytë në qendër të Kharkiv më vonë të shtunën plagosi tetë persona, sipas Terekhov.

Sulmi do të nënvizojë ankthin që ndiejnë ukrainasit për mungesën e mbrojtjes ajrore të përshtatshme. Zelensky përsëriti se Ukraina duhej të ishte në gjendje të mbrohej dhe kishte nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë.

Sulmi pasoi një samit në Itali ku ministrat e financave të G7 mbështetën idenë e përdorimit të fitimeve nga asetet e ngrira ruse për të financuar përpjekjet e luftës të Ukrainës.

Sekretarja e Thesarit e SHBA, Janet Yellen tha se kishte mbështetje të gjerë për idenë. Sipas një propozimi amerikan, G7 dhe aleatët e saj do të përdorin asetet e ngrira ruse të mbajtura në bankat perëndimore si kolateral për një hua prej 50 miliardë dollarësh për Kievin. Ideja do të diskutohet më tej muajin e ardhshëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!