Forcat izraelite bastisën të premten spitalin ‘Kamal Adwan’, njërin prej tre qendrave mjekësore në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke djegur pjesë të tëra të tij dhe duke i detyruar pacientët dhe qindra të tjerë të largoheshin nga aty, sipas zyrtarëve.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se ka humbur kontaktin me personelin brenda spitalit, që gjendet në qytetin verior Beit Lahija.
“Forcat pushtuese janë brenda spitalit aktualisht dhe po e djegin atë”, njoftoi përmes një deklarate drejtori i Ministrisë, Munir al-Bursh.
Ushtria izraelite tha se ka ndërmarrë një operacion ndaj militantëve të Hamasit në afërsi të spitalit. Ushtria njoftoi përmes një deklarate se spitali ishte shndërruar në “një bazë kyçe e organizatave terroriste dhe po vazhdon të përdoret si vend për fshehjen e terroristëve”.
Që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në tetor të vitit 2023, ushtria izraelite ka akuzuar shpesh Hamasin se po përdorte spitalet si qendra komanduese për të kryer sulme ndaj forcave të saj. Hamasi i ka hedhur poshtë këto akuza.
Pa dhënë detaje konkrete, ushtria izraelite tha se është përpjekur t’i zvogëlojë rreziqet ndaj civilëve dhe tha se “ka lehtësuar evakuimet e sigurta të civilëve, pacientëve dhe ekipit mjekësor para operacionit”.
Spitali është vënë nën trysni të madhe nga forcat izraelite për javë të tëra. “Bota duhet ta kuptojë që spitali ynë po qëllohet me synimin që njerëzit brenda tij të vriten dhe të zhvendosen me forcë”, tha drejtori i spitalit, Hossam Abu Safijeh.
Spitali njoftoi të enjten se pesë nga pjesëtarët e ekipit, përfshirë një pediatër, janë vrarë gjatë sulmit ajror izraelit. Ushtria izraelite tha se nuk ka informacione për sulmin ndaj spitalit dhe se njoftimet për vdekjet e shkaktuara do të shqyrtohen.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka cilësuar kushtet në spital si “të llahtarshme” dhe tha se spitali po operon me kushte minimale.
Hamasi tha se forcat izraelite hynë me forcë në spital të premten.
“Forcat pushtuese hynë me forcë në spitalin Kamal Adwan, duke i detyruar stafin mjekësor, pacientët, të plagosurit dhe të zhvendosurit që të evakuoheshin”, grupi militant tha përmes një deklarate.
Hamasi gjithashtu akuzoi forcat izraelite se po i izolon dhe arreston ata që u evakuuan.
Lufta u shkaktua nga sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit 1,200 persona u vranë dhe 251 u morën peng në Gazë, sipas të dhënave izraelite.
Fushata ushtarake e Izraelit kundër Hamasit në Gazë që pasoi ka shkaktuar vdekjen e 45,400 palestinezëve, sipas zyrtarëve shëndetësorë të këtij territori. Rreth 108,000 persona janë plagosur, sipas ministrisë së shëndetësisë.
Shumica e popullatës 2.3 milionëshe të Gazës janë zhvendosur, ndërkohë që po përballet me uri. Rripi i Gazës është shndërruar në rrënoja./voa