Një tragjedi ka prekur popullin turk dhe atë sirian pas tërmetit të fuqishëm prej 7.8 ballësh. Gazetari i ABC News, Arlind Isa ndodhet në vendngjarje për të raportuar informacionet më të fundit nga tërmeti. Në një lidhje live, gazetari shprehet se mund të jenë rreth 20 mijë ndërtesa të cilat janë raportuar si të shembura ndërsa shifrat e banorëve që kanë humbur jetën priten të konfirmohen në vijim.
“Në Turqi në pjesën qendrore dhe atë juglindore dhe me kufirin me Sirinë ende po bëhen kërkime, ndërsa nga goditjet e tërmetit shifrat e banorëve që kanë ndërruar jetë po konfirmohen.
Janë diku te 20 mijë ndërtesa të raportuara si të shembura dhe kjo bën që grupet e gatshme të kërkim-shpëtimit dhe emergjencat civile të jenë më pesimiste në lidhje me këtë tragjedi”, tha gazetari.
Isa është shprehur se kushtet atmosferike kanë bërë që të vështirësohet dhe më shumë procesi i kërkim-shpëtimit dhe theksuar se dhe banorët, të cilët janë shpëtuar rrezikohen pasi qendrat e pritjeve për ta janë të tej mbushura.
“Siç është raportuar dhe në media, forcat e shpëtimit janë në luftë me kohën dhe kushtet e motit, pasi kjo e fundit po e vështirëson edhe më tepër procesin e kërkimit. Por dhe banorët e tjerë të cilët janë shpëtuar janë ende të rrezikuar për shkak të motit të ftohtë, pasi qendrat e pritjes për ta janë të tejmbushura. Në Gaziantep nuk ka kapacitete për të pritur një numër të lartë banorësh. Aktualisht ndodhemi në Stamboll dhe temperaturat janë poshtë 0 gradë C”, shprehet gazetari në një lidhje live nga Stambolli./abcnews.al/