Foltorja kalon online/ Masat e sigurisë në Kuvend, tani protesta përmes “zoom”

schedule17:26 - 16 Nëntor, 2023

schedule 17:26 - 16 Nëntor, 2023

Kjo javë nuk i ngjan aspak paralajmërimeve të opozitarëve në aksion, që kanë thënë se do të shkojnë drejt ekstremit, me ngujim në grevë urie në Parlament.

Pasi nuk arritën të bllokojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare, që kaluan online, në javë diskutimesh të rëndësishme, siç është buxheti i vitit të ardhshëm, vetë deputetë e dy grupeve të Berishës e Bardhit, ndryshuan kurs.

Këtë javë pothuajse çdo ditë, deputetët demokratë, kaluan në normalitet dhe iu kthyen daljeve mediatike, nga Kryesia e Kuvendit, për të treguar se janë kundër buxhetit, me arsyetimin se nuk shkon tek qytetarët, por një grup të vogël njerëzish.

“Por jo vetëm kaq. Deputetët e opozitës, i janë bashkuar dhe mbledhjeve të komisioneve online, që vetë i kundërshtuan për paligjshmëri. Këtë të enjte, Komisioni përgjegjës, ai për Ekonominë miratoi projektbuxhetin vetëm me votat e socialistëve por edhe me pjesëmarrjen e një deputetëve të Berishës, Edmond Spaho.

Deputeti i opozitës qëndroi deri në fund të mbledhjes, nuk shprehu asnjë kundërshtim apo revoltë, si ato që janë parë më parë nëpër komisione. U mjaftua vetëm me votë kundër në fund.

Por nuk ka qenë vetëm ai. Pjesë e komisioneve janë bërë dhe deputetë të tjerë, të Berishës e Bardhit. Berisha vetë thotë se deputetët ia kanë detyruar të marrim pjesë.

“I kanë detyruar të futen online. Kanë shkuar fizikisht, pala tjetër është futur online. I kanë shtyre në klandestinitet. Ata kanë shkuar në emër të grupit.”

Arsyetimi nuk duket fortë bindës, më shumë se sa ndryshim strategjie që nisi me paralajmërime të forta. Megjithatë vetë Bardhi ka thënë se të hënën, kur do të miratohet në parim projektbuxheti, deputetët do të bllokojnë seancën./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!