Ngërçi i zgjatur politik në Kosovë gjatë vitit 2025 ka ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e inflacionit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi politik në Kosovë më 2025 ka ndikuar në rritjen ekonomike. Në deklaratën përmbyllëse nga vizita në Kosovë, Misioni ka deklaruar se rritja ekonomike është ngadalësuar, ndërsa inflacioni është përshpejtuar.
Edhe pse perspektiva, sipas FMN-së është pozitive, ende mbesin disa rreziqe negative.
“Ngërçi politik ka kufizuar avancimin e zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së dhe qasjen në financim të jashtëm” nënvizon fondi monetar ndërkombëtar.
Sipas FMN edhe rritja reale e pagave ka ngecur. FMN ngre alarmin edhe për papunësinë e lartë në shifrën 10 %, e cila së bashku me pjesëmarrjen vazhdimisht të ulët të fuqisë punëtore, veçanërisht atë të grave, është indikacion i kapaciteteve ende të pashfrytëzuara në tregun e punës.
Organizmi ndërkombëtar kërkon edhe vëmendje të shtuar ndaj kredimit të lartë në vitet e fundit për shkak të rreziqeve në sektorin financiar.
Misioni i FMN-së vizitoi zyrtarisht Kosovën nga 3 shkurti deri më 13 shkurt.
Më 2025, Kosova ishte pa institucione për shkak të bllokadave në Kuvend. Zgjedhjet e shkurtit të 2025-s nuk prodhuan Qeveri të re e Kuvendi nuk mori asnjë vendim për shkak të ngërçeve deri në konstituim. /abcnews.al/


