FMN: Lufta tregtare kërcënon ekonominë globale

schedule23:45 - 6 Qershor, 2019

schedule 23:45 - 6 Qershor, 2019

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po vë në rrezik ekonominë globale. FMN ka akuzuar entet amerikane për shpërfillje të risqeve që i kanosen sistemit financiar global.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar të enjten se tensionet tregtare globale të shkaktuara nga rritja e tarifave nga Shtetet e Bashkuara do të dëmtojnë ekonominë globale. Sipas FMN, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të zgjidhin kontestin e tyre me Kinën, pasi përdorimi i tarifave për t’i bërë presion gjigandit aziatik po minon sistemin global të tregtisë. FMN ngriti gjithashtu shqetësimin se sistemi financiar amerikan po bëhet i cënueshëm në kushtet aktuale të tregut, duke nënvizuar se të ardhurat mesatare të korporatave kanë qenë historikisht të larta, ndërsa standardet e shërbimeve po vijnë drejt dobësimit. Fondi paralajmëroi se një ndryshim i papritur i këtij ambjenti komod për korporatat amerikane mund të përmbysë situatën dhe të krijojë një tkurrje të aktiviteteve, investimeve dhe krijimit të vendeve të punës. “Sistemi financiar duket i shëndetshëm por rreziqet afatmesme ndaj stabilitetit financiar po rriten”, deklaroi FMN. Fondi kritikoi entet rregullatore të Shteteve të Bashkuara se ofrojnë reagime të vakëta për t’i bërë kontrast këtyre rreziqeve dhe gatishmëri për të lehtësuar masat shtrënguese./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!