“Fluksi i vizitorëve ende i lartë”, Vakaj: Forcimi i lekut vazhdon, operatorët po mësohen me këtë kurs këmbimi valutor

schedule14:17 - 7 Nëntor, 2023

schedule 14:17 - 7 Nëntor, 2023

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj ka deklaruar se leku po vijon forcimin. Kjo ka bërë që sipas tij, operatorët të mësohen me këtë kurs këmbimi valutor.

Në një lidhje me Skype për “Money Report”, Vakaj ka theksuar se një ndër faktorët që ka ndikuar është fluksi i lartë i vizitorëve, që pavarësisht ikjes së verës vazhdon të mbetet i tillë.

Sakaq, ai ka shtuar se ndërhyrja e Bankës Qendrore në raport me normën bazë të interesit, e bën më të pëlqyeshëm lekun për t’u investuar.

“Sigurisht biem dakord të gjithë që kjo është një situatë relativisht e re për tregun dhe operatorët po fillojnë të mësohen me këtë lloj ekuilibri. Ishte dhe e pritshme, pasi pas përfundimit të sezonit tipik të verës, kemi pasur një rritje të euros dhe dobësim të lekut. Sigurisht, janë një sërë faktorësh dhe nuk është vetëm një që mund ta ndikojë në mënyrë kaq domethënëse tregun. Sigurisht do mbajtur në vëmendje që kurba rënëse rreth një muaj së fundmi, ka qene relatisht e ngadaltë. Kjo e ndikuar dhe nga faktorët, siç mund të themi volumi relativisht i lartë i turistëve, vizitorëve dhe prurjet nga pikëpamja e atyre që vijnë vizitojnë Shqipërinë, rikthehen familjarë, shqiptarë që jetojnë jashtë. Duhet mbajtur parasysh në vemendje dhe ndërhyrja e Bankës Qendrore në raport me normën bazë të interesit, i cili në thelb është një element që e forcon lekun dhe e bën më të pëlqyeshëm për t’u investuar”, u shpreh Vakaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!