Dyfishohen shtrimet ditore në spitalet covid. Sipas të dhënave, vetëm gjatë 3 ditëve janë shtruar 120 qytetarë, duke sjellë mbingarkesë. Ekspertët e shëndetit, ngrenë shqetësimin se virusi po bëhet agresiv tek moshat e reja. Dyshohet se në vend po qarkullojnë variante të reja të virusit.
120 qytetarë janë shtruar në këtë spital gjatë 3 ditëve të fundit. Krahasuar kjo me një javë më parë kur shtroheshin rreth 15 persona në ditë, numri është dyfishuar. Pacientë në gjendje më të mirë por edhe të tjerë, janë transferuar në spitalet covid-3 dhe 4, për të liruar shtretër për urgjencat e reja tek Infektivi.
Autoritetet e shëndetësisë bëjnë të ditur se mbi 70% e kapaciteteve të spitaleve covid janë të ezauruara, por ndërkaq situata është nën kontroll.
Shqetësues mbetet edhe numri i lartë i pacientëve në moshë të re. Shumë prej tyre po trajtohen në terapi intensive. Nuk kanë munguar edhe humbjet e jetës në moshë të re, duke rrezuar deklaratat e hershme të ekspertëve bazuar në disa studime se covid prek lehtë apo prek me pak fëmijët dhe të rinjtë.
Vetë ekspertët e shëndetësisë, nisur nga kjo situatë e shtimit te rasteve të të rinfektuarve, ngrenë dyshimet se në vendin tonë mund të qarkullojnë mutacione të virusit covid 19./ Abcnews.al