Florida, Presidendi Biden u premton mbështetje të prekurve nga uragani

schedule19:51 - 3 Shtator, 2023

schedule 19:51 - 3 Shtator, 2023

Presidenti Joe Biden vëzhgoi zonat e goditura nga uragani Idalia në Florida fillimish nga ajri, përpara se të zbriste në terren, e bashkë me drejtuesit lokalë të qytetit Live Oak, të shihte nga afër punën që po kryhet për rindërtimin e ndërtesave të shkatërruara nga stuhia.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e Guvernatorit të shtetit Ron DeSantis, një prej kandidatëve kryesorë republikanë për zgjedhjet presidenciale. Zoti DeSantis nuk pranoi t’i bashkohej Presidentit Biden, duke thënë se prania e tij, do të ishte pengesë për punën që po kryhet për të përmirësuar situatën.

I pyetur lidhur me mungesën e rivalit të tij, zoti Biden tha se nuk ishte i zhgënjyer nga një vendim i tillë, ndërkohë ai mirëpriti praninë e senatorit Rick Scott, një prej dy senatorëve republikanë të këtij shteti.

Duke folur pranë një kishe me çati të dëmtuar e një shtëpie gjysmë të shkatërruar nga një pemë, presidenti u zotua për mbështetje totale të qeverisë federale për banorët e Floridës.

Jam këtu sot për të dhënë një mesazh të qartë për banorët e Floridës dhe gjithë juglindjes së vendit. Ia kam thënë edhe guvernatorit tuaj, se jam gati të ofroj mbështetje për çdo gjë që u nevojitet e që lidhet me stuhinë. Vendi juaj u mbështet dhe ne do të jemi me ju derisa puna të përfundojë“, tha ai.

Më herët, kryebashkiaku i Live Oak-ut, një qytet rreth 130 kilometra në lindje të kryeqytetit të shtetit, Tallahasit, falënderoi Presidentin Biden dhe Zonjën e Parë Jill Biden për vizitën.

Na treguat se ne jemi të rëndësishëm për ju“, tha ai.

Të gjithë mendojnë se Florida është e pasur, por ky nuk është një nga qarqet më të pasura të shtetit dhe këtu ka njerëz që po vuajnë”, tha Kryebashkiaku Frank Davis.

Idalia goditi të mërkurën në mëngjes përgjatë rajonit pak të populluar, Big Bend-it në Florida, si një stuhi e kategorisë 3 me erëra që arritën shpejtësinë e rreth 200 kilometrave në orë. Uragani shkaktoi përmbytje dhe dëme në një sipërfaqe të gjerë përpara se të lëvizte në veri të vendit, duke mbytur disa zona në Xhorxhia e në shtetet e Karolinës së Jugut e të Veriut./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!