Florida ngriti padi kundër administratës së Presidentit Joe Biden të martën, duke pretenduar se politika e tij e emigracionit është e paligjshme. Guvernatori republikan Ron DeSantis nënshkroi një urdhër që ndalon agjencitë shtetërore të ndihmojnë në zhvendosjen e emigrantëve pa dokumenta të mbërrijnë në shtetin e tij.
Urdhri i guvernatorit DeSantis autorizon Departamentin e Zbatimit të Ligjit të Floridës “të ndalojë çdo avion, autobus ose automjet tjetër brenda shtetit të Floridës që besohet se po transporton të huaj të paligjshëm nga kufiri jugperëndimor”.
Ai gjithashtu urdhëroi agjencitë të mblidhnin informacion mbi identitetet e çdo emigranti që mbërrom ilegalisht në Florida nga kufiri SHBA-Meksikë dhe u tha agjencive shtetërore që të mos shpenzojnë para për të ndihmuar këta emigrantë nëse nuk kërkohet me ligj.
Ligjvënësja demokrate e këtij shteti Anna Eskamani kritikoi zotin DeSantis, duke thënë se ai po përdor çështjen e emigracionit për të fituar pikë politike me bazën e tij konservatore, në vend që të përqëndrohet në çështje të tjera me të cilat përballet shteti.