Hansi Flick do të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit futbollistik. Vetë trajneri gjerman e ka konfirmuar diçka të tillë pas ndeshjes së fundi në Bundesliga, që bavarezët e fituan në transfertë kundër Wolfsburg.
“Situata është, siç edhe i kam thënë ekipit sot, është se kam informuar klubin gjatë javës që dua ta ndërpres kontratën në fund të sezonit. Ky vendim nuk ishte i lehtë për mua. Unë jam një tifoz i këtij klubi. Gerd Müller, Paul Breitner, Karl-Heinz Rummenigge të gjitha kanë qenë idhuj të fëmijërisë sime.
Unë i jam përjetësisht mirënjohës klubit për mundësin që më dhanë të bëhem trajner i parë. E ardhmja në krye të Gjermanisë? Natyrisht që Gjermania është një opsion që çdo trajner duhet ta marrë në konsideratë. Për mua javët e fundit nuk kanë qenë të lehta”, ka thënë mes të tjerash Flick.
Trajneri gjerman ka pasur mosmarrëveshje me drejtorin sportiv, Hasan Salihamidzic në lidhje me merkaton. Flick në janar të vitit 2020, gjatë fazës përgatitore në Doha, u shpreh se donte një mbrojtës dhe një sulmues krahu.
Boshnjakut nuk i pëlqeu deklarata e trajnerit, pasi nuk dëshironte të flitet për një temë të tillë në media. Në verë më pas Flick kërkoi disa lojtarë, kurse Salihamidzic afroi të tjerë dhe mes tyre ka pasur një krisje, edhe pse publikisht janë munduar ta zbusin dhe ta konsiderojnë si normale. /abcnews.al