Flet xhaxhai i shqiptarit që u vra në burgun serb: E kanë torturuar për vdekje

schedule21:02 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 21:02 - 7 Dhjetor, 2022

Nagip Zuberi, xhaxhai i 28-vjeçarit Artan Zuberi, i cili ndërroi jetë në burgun “Sremska Mitrovica” në Serbi, tregoi se arsyeja pse nipi i tij u arrestua në kufirin Kosovë-Serbi ishin tatuazhet në trup me flamurin kombëtar, si dhe një foto me armë kallashnikov që ndodhej në automjetin me të cilin po udhëtonte drejt Norvegjisë.

“Arrestimi i Artanit ka ndodhur para një vit e dy muaj, përafërsisht. E familjarët e kanë marr vesh arrestimin e tij diku pas një jave. Pasi e kanë marr vesh që është arrestuar nga policia serbe dhe është në burg për shkak të automjetit, ku e kishte të fotografinë e një arme kallashnikov, familjarët menjëherë kanë shkuar dhe kanë angazhuar avokat nga Norvegjia.

Edukatorja e tij sociale që është që nga fëmijëria, ka intervenuar përmes ambasadës për ta transferuar këndej. Prindërit kishin shkuar në Beograd, kur atij veç iu kish shqiptu dënimi si terrorist shqiptar, për tri vite”, deklaroi Zuberi.

Për “Telegrafi.com”, ai u shpreh se beson që Artani ka humbur jetën pas torturave që i janë bërë gjatë vuajtjes së dënimit të tij si dhe pas zjarrit që përfshiu burgun më 21 nëntor 2022. Ai tregoi se kur ka rënë zjarri, dyert e pavijonit kanë qenë të mbyllura tetë orë.

“Më 21 nëntor paska ndodh djegia e burgut në pavijonin numër 2. Ne e kemi lajmëru rastin në Norvegji, pasi Artani është shtetas norvegjez, ka lindur atje. Artani ka pas tatuazh nëpër trup, kallash edhe në kerr po ashtu. Artani ka ardh nga Serbia për në Kosovë. Në kthim ai është kapur nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi. Artani ka ndërruar jetë më 21 nëntor. Ai e ka dashur vendin e vet. E ka vizatuar flamurin sipas dëshirës së vet. Si djemtë e rinj që bëjnë tatuazhe. Për mendimin tim ka pas maltretime të mëdha. E fundit ka qenë kur e kanë djeg burgun, e kanë mshel pavijonin numër dy për tetë orë. Aty ka pas dhe të burgosur të tjerë, jo vetëm Artani. Nëpër gazeta, serbët e jepnin lajmin se kinse katër gardianë janë lënduar, e për të vdekur nuk kanë raportuar që ka.”

Nagipi shtoi se posedon një audio të bërë nga një i burgosur nga Siria, i cili, sipas tij, ka treguar për torturat që gardianët serbë kanë kryer në burg ndaj Artanit.

“Edhe një incizim e ka vëllai të një siriani, i cili i ka treguar se si e kanë torturuar Artanin në burg. Sa që siç kish thënë siriani, ai s’ka guxu as me u la, pasi në momentin që ia kanë pa tatuazhet e kanë rreh.”