Flamurtari rrezikon mbijetesën në Superligë edhe nëse miratohet ligji për sponsorizimet. Legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, ngre alarmin për fatin e klubit.
Humbjet radhazi dhe kriza financiare po përballohen sepse ka sado pak shpresë. Flamurtari vërtet është në vend të fundit në Superligë, por presidenti Sinan Idrizi shpreson në miratimin e ligjit të sponsorizimeve, që të paguajë rrogat, veçse koha nuk pret. Një alarm e ngre legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, në intervistën për Abc News.
“Diskutohet për një buxhet emergjent, por nuk besoj se këto janë zgjidhjet. Nëse do dalë ligji i sportit, kam parasysh Kosovën që e nxorri vitin që shkoi dhe në Janar të vitit tjetër hyn në fuqi. Patjetër ligji i sportit nuk besoj të arrihet shpejt se do shoqërohet me drafte. Flamurtari e ka të ngutshme. Duhet me se s’bën të gjendet një zgjidhje mes Presidentit dhe kryetarit të Bashkisë”, tha Ruci.
Përsa i përket skuadrës, Ruci nuk është aq shumë pesimist.
“Si ekip besoj se duhet të jemi shumë më të mirë nga Gjirokastra. Humbjet kanë qenë pothuajse te barazimi. E vetmja ndeshje që nuk ka shoi mirë ishte me Kukësin”, tha Ruci.
Si njeri jo vetëm i Flamurtarit, por edhe i gjithë futbollit shqiptar, si e mendon Ruci konkurrimin në Superligë?
“Tirana e ka mbjellë tani pemën dhe është pak e brishtë, është edhe e bukur. Luan futboll mirë, por duhet rritur avash-avash. Më i konsoliduar është Kukësi sepse ka futbollistë të mirë. Partizani është i turbullt për ndryshimet që ka bërë, por besoj se shpejt edhe Partizani do jetë shumë konkurrent i fortë”, tha Ruci.
Ruci ka qenë edhe pjesë e kombëtares dhe ndihet i kënaqur me të./ABC News Albania 24/7