Flamurtari ka frikë euforinë në prag të ndeshjes së radhës në Superligë ndaj Partizanit. Klubi vlonjat vendos heshtje për shtyp pas entuziazmit të shkaktuar nga fitorja ndaj Kamzës. Ky gol i ngjiti lart, por edhe mund t’i fundosë. Në Vlorë tremben nga euforia pas fitores me Kamzën, ndërsa në radhë për Flamurtarin është një përballje shumë e fortë. Vendimi I klubit vlonjat është I prerë, heshtje e plotë dhe ndërprerje e komunikimeve me mediat, deri në përfundim të ndeshjes ndaj Partizanit në kryeqytet, ditën e diel. I vetmi që do të lejohet, trajneri Shpëtim Duro, një ditë përpara takimit. Atmosfera në Vlorë dhe besohet edhe në skuadër është më shumë sesa optimiste, me Flamurtarin vetëm 1 pikë larg Partizanit të vendit të tretë. Për herë të parë në 3-4 vitet e fundit, skuadra jep shpresë se mund të arrijë objektiva të rëndësishëm, Europën apo trofe, veçse drejtuesit kanë frikë se mos pikërisht tani prishet gjithçka. Gjithsesi, gjendja në ekip është vërtet pozitive. Krejt ndryshe nga dy sezonet e fundit, futbollistët janë të qetë nga ana financiare. Ata kanë marrë 30 për qind të shumë së kontratës, që në momentin e nënshkrimit të saj, ndërsa pjesa tjetër, po jepet rregullisht në formë rrogash. Edhe fusha e stadiumit është tashmë në gjendje shumë të mirë, pas dëmtimit serioz që pati në gusht dhe shtator. Trofeu I fundit I fituar nga Flamurtari ishte Kupa e Shqipërisë në 2014, nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka, të cilit ironikisht klubi I ka ende borxh.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!