Ishte e pritshme, dhe goditja nuk ishte e lehtë. Flamurtari mori një ndëshkim të fortë nga Federata Shqiptare e Futbollit, pasi Komisioni I Disiplinës në këtë institucion e dënoi me 8 ndeshje pa praninë e tifozëve.
Kjo, pasi në sfidën e Superligës ndaj Teutës të premten e kaluar në Vlorë, një pjesë e tifozëve hynë në fushë dhe sulmuan lojtarët e ekipit mik.
Një ngjarje gati e pazakontë edhe për futbollin shqiptar, ku dhuna ka qenë shpesh e pranishme, ndonëse vitet e fundit më shumë episodike.
Dënimi është i tillë që klubit vlonjat i hiqet mundësia që të paguajë për të përfituar përgjysmimin në katër ndeshje, pra do t’i shlyejë 8 javë të plota në fushën e vet.
Përveç kësaj, Disiplina vendosi edhe gjobë prej 50 000 lekësh.
Sfida e javës së 17-të të Superligës luhej në stadiumin “Flamurtari” dhe miqtë nga Durrësi ishin në epërsi 1-0, kur tifozët hynë në fushë.
Kjo ndodhi në minutën e 69-të.
Të gjithë u detyruan të shkonin në dhomat e zhveshjes, përfshi edhe arbitrat, dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta.
U desh ndërhyrja e policisë që situata të mos dilte më shumë jashtë kontrollit dhe u pengua më e keqja, që mund të kishin qenë kacafytjet fizike e ndoshta lëndim për mjaft persona.
Më pas, dueli rifilloi dhe Flamurtari arriti të barazonte, ndërsa ngjarjet e dhunës ishin të përsëritura pasi më herët ndodhën mes tifozëve në ndeshjen në Vlorë kundër Elbasanit.

