Flamuri në Ambasadën Amerikane ulet në gjysmë shtizë: Vajtojmë ushtarët që humbën jetën në sulmin e Kabulit

schedule12:58 - 27 Gusht, 2021

schedule 12:58 - 27 Gusht, 2021

Flamuri amerikan në Ambasadën Amerikane në Tiranë është ulur në gjysmë shtizë pas sulmeve terroriste në Kabul. Në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook, ambasada njofton se sot vajtojnë amerikanët e ekipit të shërbimit që humbën jetën ndërsa përpiqeshin të shpëtonin jetë.

Po ashtu, në njoftimin e Ambasadës thuhet se sot vajtohet edhe për afganët që humbën jetën apo janë plagosur në sulmet. SHBA shpreh edhe mirënjohjen për mikpritjen e “pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj” për iniciativën e strehimit të një grupi të madh qytetarësh afganë.

AMBASADA AMERIKANE NË FACEBOOK

“Sot, flamuri në Ambasadë është i ulur në gjysmë shtizë, teksa vajtojmë amerikanët e ekipit të shërbimit, të cilët humbën jetët e tyre në sulmin e tmerrshëm terrorist në Kabul, ndërsa me vetëmohim përpiqeshin të shpëtonin jetët e të tjerëve. Ne vajtojmë edhe për afganët, përfshirë fëmijët e vegjël, të cilët humbën jetën apo u plagosën në këtë sulm mizor.

Zemrat tona ndiejnë dhimbje për jetët e heronjve tanë, të humbura në shërbim të lirisë dhe në shërbim të Amerikës, dhe për jetët e qytetarëve afganë, të humbura në kërkim të sigurisë dhe një të ardhmeje për të cilën të gjithë kemi të drejtë.

Prandaj sot zemrat tona janë të mbushura me hidhërim, por ato janë të mbushura edhe me mirënjohje. Grupi i parë i qytetarëve afganë të cilët mbërritën mbrëmë në Tiranë, janë më shumë sesa njerëz të evakuuar. Ata janë jetë njerëzore të shpëtuara nga mundësia e pasojave tragjike. Ata janë gra, burra dhe fëmijë të cilëve u është ofruar diçka që ne e marrim të mirëqënë, një jetë. Mundësia për të jetuar dhe për të pasur një të ardhme. Dhe për këtë, ne si Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Shtetet e Bashkuara, jemi mirënjohës për bujarinë dhe mikpritjen e pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj. Në kohë të tilla, ne nuk kemi kombësi, fe, ngjyra apo raca. Ne jemi qënie njerëzore që u shtrijmë dorën në ndihmë qënieve njerëzore si ne. Faleminderit Shqipëri!”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!