Fjalori vjen në Ditën e Alfabetit/ Pasuri e madhe e Shqipes, përmban 120 mijë fjalë

schedule17:19 - 22 Nëntor, 2024

schedule 17:19 - 22 Nëntor, 2024

Fjalori i madh i gjuhës shqipe është gati. Drafti final u prezantua në 22 nëntor në Ditën e Alfabetit, pas një pune 4-vjeçare të realizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Kosovës dhe gjuhëtarë nga Maqedonia e Veriut.

Një prej veprave më madhore leksikografike, fjalori i ri pasqyron, ruan dhe hedh në përdorim pasurinë më të madhe të gjuhës shqipe, me mbi 120 mijë fjalë.

“Vepra në fazën e parë ka gjithsej 125 mijë njësi leksikore. 103 mijë tituj mbi 2.5 herë më shumë se fjalori i 1980. Rreth 5 mijë emërtime, mbi tre mijë fjalë të fshehura”,  tha Valter Memisha.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe vjen si një nevojë mbarëkombëtare, pas më shumë se 40 vitesh nga hartimi i fjalorit aktual.

“Është një arritje për gjithë shqiptarët. Përfshijnë gjithë pasurinë e tyre leksikore, e ndarë në të gjithë trevat”, tha Shezai Rrokaj

Fjalori i ri është pasuruar me rreth 70 mijë fjalë të reja, të pa botuara në fjalorin e vitit 1980. Këtu përfshihen edhe fjalët e reja që janë futur në përdorim në gjuhën shqipe gjatë viteve të fundit si pasojë e ndryshimeve që sollën zhvillimet teknologjike.

Të gjitha ato fjalë që shqipja ka nevojë janë përfshirë në fjalor, jo ato që përdoren rëndomtë pa kulturë”, Shezai Rrokaj.

Profesor Emil Lafe, një nga kontribuuesit e fjalorit të vitit 1980  thotë se gjuha shqipe kishte nevojë për një vepër të madhe, që vjen pas më shumë se 4 dekadash.

“Ne kemi nevojë të kemi më shumë kulturë, t’i shkruajmë dhe përdorimin drejt fjalët”,  tha ai.

Ky fjalor, vjen në një moment ku shqipja po përballet me sfida të shumta.

“Shqiptarët ta ruajnë gjuhën. Të përforcohet në shkollë”, theksoi më tej.

Fjalori do të dalë fillimisht online, dhe brenda vitit 2025 ai do të jetë edhe i botuar. Fjalori i ri do të jetë burim këshillimi, studimi e hartimi për fjalorë të tjerë të tipeve të ndryshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!