Katër mesazhet e Hashim Thaçit

schedule13:22 - 4 Prill, 2023

schedule 13:22 - 4 Prill, 2023

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka mbajtur një fjalim në Speciale, teksa gjyqi është në ditën e dytë të tij dhe sot është  dita e mbrojtjes për 4 ish-krerët e UÇK-së.

Thaçi ka thënë se është i pafajshëm dhe kërkon që të shfajësohet nga të gjitha akuzat e ngritura ndaj.

Ai ka theksuar se do të dëshironte shumë që shumë figura të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare të mund të dëshmonin për të, kur ndër ta përmendi edhe ish-presidentin, Ibrahim Rugova, por shtoi se të tjerë kanë shprehur gatishmërinë për ta bërë këtë gjë.

Fjalimi i plotë:

Faleminderit për mundësinë që t’iu drejtohem. Sot po nisim një rrugëtim së bashku, drejt së vërtetës dhe drejtësisë. E drejta dhe vërteta janë parime të çmuara për mua. Ndjeje keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte, pavarësisht nga përkatësia. Viktima s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Jam i pafajshëm nga të gjitha këto akuza.

Jam gati që të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen, popullin dhe vendin tim. Rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari në ‘98-n. Edhe unë u ktheva të ndihmoj vendin tim dhe u bashkova për rezistencë.

Kushdo që do të ishte në vendin tim, do të bënte të njëjtën. Ushtria përbëhej nga njerëz të thjeshtë, që përpiqeshin të shpëtonin familjen e tyre. Ata luftuan e shumë ranë heronj. Mijëra familje i humbën të dashurit nga qindra masakra të forcave serbe.

UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë, qytetarë që përpiqeshin të mbronin vendin e familjen e tyre. Mijëra familje humbën të dashurit e tyre në qindra masakra. Kundërshtarët tanë ishin ushtria dhe paramilitarët serbë. Si rezistenca paqësore, ashtu edhe ajo e armatosur, kishin synim lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovës. Pa atë rezistencë, Kosova nuk do të ekzistonte. Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, ajo iu imponua. Ata bënë atë që do të bënte çdo popull liridashës. Kosova ishte në anën e drejtë të historisë. Sot jam i lumtur që populli i Kosovës jeton në një vend të lirë. Kosova është rrëfim suksesi.

Gjatë këtij procesi ne do të udhëtojmë prapa në kohë dhe ngjarje që kanë ndodhur 20 vjet më parë. Duhet ta keni parasysh që mbamendja 25 vjet më vonë është e mjegulluar. Realiteti po ngatërrohet mes opsioneve dhe agjendave të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte. Inatet politike nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Këto vlejnë edhe për disa botime e opinione të përshtatura të aktorëve të luftës.

Në raste jo të pakta, ambicia dhe interesat personale tejkaluan realitetin për rrëfimin e UÇK-së dhe vetë historisë së Kosovës. Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë se është e vërtetë, por ne kemi një histori faktike. Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi të dëgjojmë në këtë gjykatë dëshmitë e sekretares së Shtetit Madeline Albright, sekretarit të jashtëm Robin Kook, senatorit Robert Dole, ambasadorit Richard Holbroke, të shefit të parë të UNMIK-ut në Kosovë, të presidentit Ibrahim Rugova, të Fehmi Aganit, të Adem Demaçit e liderëve të tjerë. Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë çfarë kam thënë e bërë gjatë asaj kohe të rëndësishme të historisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ne besuam në veten tonë për të qenë të lirë. Të gjithë në Kosovë e dinim gjatë gjithë kohës, se pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe të SHBA-së nuk do të ishim të lirë dhe të pavarur. Ne kemi mbështetur drejtësinë, sidomos atë ndërkombëtare. Kur raporti i Dick Martyt mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë për akuzat për trafikim organesh. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë që ne jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër në fund të këtij procesi.

Unë besoj te Tribunali i Hagës, UNMIK, EULEX, dhe Dhomat e Specializuara. Unë jam intervistuar nga këta mekanizma edhe në cilësinë e dëshmitarit dhe të dyshuarit. Çdo bashkëpunim i imi me të gjithë këta aktorë ndërkombëtarë ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent qoftë në Prishtinë apo Hagë. Gjithçka tjetër që thuhet është e papranueshme. Prandaj askush nuk duhet dhe nuk mund ta shkruajë historinë, ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtim dhe drejtësi. Unë besoj që ky proces do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejtë.

*Fjalimi para Gjykatës Speciale

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!