Fjalimi i dytë i Trump para Kongresit

schedule10:50 - 6 Shkurt, 2019

schedule 10:50 - 6 Shkurt, 2019

Donald Trump mbajti dje fjalimin e tij të dytë para Kongresit amerikan, që kur ka ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. Për shkak të mbylljes së qeverisë amerikane, fjalimi u mbajt me një javë vonesë nga data e parashikuar. Trump u shpreh i vendosur për ndërtimin e murit me Meksikën, një nga çështjet kryesore që e ndan aktualisht nga demokratët. Presidenti amerikan konfirmoi dhe takimin e dytë me Kim Jong Un në fund të këtij muaji.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shfrytëzuar fjalimin e tij drejtuar kombit, për t’u zotuar edhe një herë se do të ndërtojë murin me Meksikën. Kjo temë është kthyer në çështje të ndarjes së thellë partiake në SHBA. Trump  ka mbajtur fjalimin në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, me një javë vonesë, ndonëse është duke u përballur me mospajtime politike rreth kërkesave të tij për të ndërtuar murin, te cilin e quan shumë te nevojshëm për të ndalur imigrimin ilegal dhe kontrabandimin e drogës.

Ai e ka cilësuar imigrimin ilegal si “krizë kombëtare urgjente”, por nuk është ndalur shumë tek ideja për shpalljen e gjendjes emergjente, e cila do t’i lejonte atij të siguronte paratë për murin pa miratimin e Kongresit. Në vend të saj, presidenti amerikan u ka bërë thirrje demokratëve dhe republikanëve që të gjejnë një kompromis deri më 15 Shkurt. Për demokratët, një ide e tillë konsiderohet e paefektshme dhe humbje e të hollave. Ndërkohë Trump ka paralajmëruar demokratët për përpjekjet e tyre se do të hetojnë administratën e tij, si dhe ka përmendur përfshirjen e SHBA-së në luftëra të huaja, çka sipas tij mund të dëmtojë ekonominë amerikane.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila ishte veshur në të bardha, bashkë me shumë gra tjera në Kongres, ka duartrokitur me shqetësim disa herë, por është parë e pakënaqur gjatë fjalimit të Trump. Ajo nuk ka treguar asnjë shenjë për bashkëpunim me presidentin sa i përket çështjes së ndërtimit të murit. Megjithatë presidenti amerikan ka shfrytëzuar fjalimin për të ofruar një dozë kompromisi në çështjet e uljes së çmimit të ilaçeve, ndërtimit të rrugëve, urave dhe pjesës tjetër të infrastrukturës.

Një vend të veçantë në fjalimin e presidentit Trump para Kongresit ka zënë edhe politika e jashtme e SHBA. Presidenti amerikan ka konfirmuar në këtë fjalim se do të mbajë një samit të dytë me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong un më 27-28 Shkurt në Vietnam.

“Ende ka shumë punë për të bërë, mirëpo marrëdhënia ime me Kim Jong-un është e mirë”, ka deklaruar Trump.

Presidenti amerikan beri thirrje për vëmendje në përpjekjet e tij për të rishkruar marrrëveshjet tregtare me Kinën dhe kombet tjera, për të krijuar një situatë më të favorshme për SHBA-në. Teksa këshilltarët e tij ekonomikë janë duke punuar në hartimin e paktit me Kinën, Trump ka thënë se marrëveshja “duhet të përfshijë ndryshim të vërtetë dhe t’iu japë fund praktikave të padrejta tregtare, të ulë deficitin kombëtar dhe të ruajë vendet e punës në SHBA”.

Ai ka përmendur edhe kërcënimet e Iranit kundër Izraelit. “Ne nuk do të largojmë sytë nga regjimi që brohorit, Vdekje Amerikës dhe kërcënon me gjenocid kundër hebrenjve”, ka deklaruar Trump.

Lideri amerikan ka thënë se mbështet përpjekjet për të larguar nga pushteti presidentin e sfiduar të Venezuelës, Nicolas Maduro, si dhe ka shpallur fitore ndaj grupit militant, Shteti Islamik. Sipas tij, administrata Trump është duke zhvilluar “bisedime kontruktive” me talibanët për të gjetur një zgjidhje që siguron paqen në Afganistan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!