Mediat turke kanë raportuar fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi të vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Sipas asaj që raportohet, 59-vjeçari ka kërkuar që t’i hiqet një qese nga koka, e cila po e mbyste.
Një gazetar i kronikës së zezë në gazetën turke “Daily Sabah”, ka rrëfyer për televizionin “Al Jazeera” fjalët e fundit të Jamal Khashoggi-t, që u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
“Po mbytem…ma hiqni qesen nga koka, jam klaustrofobik“.
Këto ishin fjalët e fundit të gazetarit saudit Khashoggi, sipas një regjistrimi audio brenda konsullatës së Arabisë në Stamboll. 59-vjeçari u mbyt me një qese plastike, kurse trupi i tij u copëtua më pas. Gazetari turk Nazif Karaman, që ka bërë të ditura këto detaje, tha se vrasja zgjati rreth 7 minuta, sipas regjistrimeve.
Presidenti i Turqisë njoftoi të shtunën se regjistrimi audio nga brenda konsullatës lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, iu dërgua edhe Arabisë Saudite, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. Erdogan shtoi gjithashtu se mediat turke do të publikojnë disa momente nga regjistrimet që dokumentojnë çastet e fundit të gazetarit Khashoggi, që punonte si analist për prestigjiozen amerikane “Washington Post”.
Arabia Saudite, e cila pas zhdukjes së gazetarit mohonte të kishte gisht në ngjarje, deri tani ka arrestuar 18 persona për vrasjen e gazetarit, dhe ka shkarkuar 5 zyrtarë të lartë të qeverisë. Ndërkohë, Ankaraja zyrtare kërkon ekstradimin në Turqi të të dyshuarve, pasi krimi ka ndodhur në territorin turk./abcnews.al