Fjalë të mëdha për Shyqyri Rrelin, presidenti Meta: Kontributet e tij, historike!

schedule13:03 - 31 Dhjetor, 2019

schedule 13:03 - 31 Dhjetor, 2019

Fjalë të mëdha nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, për të ndjerin Shyqyri Rreli. Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Kombëtares dhe lojtare klubeve të mëdha si Tirana e Dinamo, u nda sot nga jeta dhe bota e sportit është në zi.

“Sot u nda nga jeta një personalitet i jashtëzakonshëm i sportit dhe i futbollit kombëtar Prof.Shyqyri Rreli. E gjithë jeta e tij ishte në shërbim të zhvillimit të sportit e në veçanti futbollit. Kontributi i tij i gjithanshëm si një futbollist kampion, por edhe si një trajner i arritjeve historike në drejtim të Ekipeve Shpresa në nivelet më të larta ndërkombëtare, të Ekipit Kombëtar dhe të ekipit të jashtëzakonshëm të Tiranës (17 Nëntori) të viteve ’80, meriton nderim dhe respekt.

Edhe sot kemi emocione kur kujtojmë Ekipet Kombëtare Shpresa që me këtë trajner të madh fitonin kampionatet ballkanike dhe mundnin ekipet më të forta të kontinentit, apo Kombëtaren e jashtëzakonshme që nënshtronte 2 me 0 Belgjikën e Pfafit, Shifos dhe Kulemansit, duke guxuar për t’u kualifikuar në kampionatin botëror të Meksikës.

Ne sot kujtojmë Tiranën (17 Nëntorin) e Prof. Rrelit si një kampione e jashtëzakonshme, por edhe fituese ndaj shumë ekipeve të mëdha në ndeshjet ndërkombëtare. Sepse profesori dinte të krijonte frymën e ekipit dhe t’i edukonte me ndjenjën e fitores lojtarët e tij, duke e ngritur në një stad të ri futbollin tonë në arenën ndërkombëtare.

Kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm sepse arritjet dhe kontributet e tij mbeten historike dhe frymëzuese për të ardhmen. E ndaj sot dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta me Familjen Rreli dhe gjithë botën e futbollit dhe sportit shqiptar. U prehtë në paqe shpirti i tij!”, shkruan Meta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!