Fizarmonika, ushqim për shpirtin/ Instrumentisti pensionist: Pasion e burim të ardhurash, të huajt më vlerësojnë më shumë

schedule20:10 - 16 Shtator, 2023

schedule 20:10 - 16 Shtator, 2023

Kush ka kaluar në shëtitoren e Sarandës nuk mund të mos e ketë dëgjuar melodinë e fizarmonikës së Vasil Çukos.

Përgjatë verës, 67-vjeçari del çdo mbrëmje në shëtitoren buzë detit. Nuk e ndan nga vetja firzamonikën që e ka ushqim për shpirtin dhe burim të ardhurash.

“Tani jam pensionist, dal për qejfin tim, marr 5 lekë dhe i dërgoj në shtëpi. Me këtë jam rritur, më mirë lë bukën se këtë”.

Pasioni për instrumentet muzikore i ka lindur qysh në moshën 14-vjeçare.

Ka marrë pjesë në dasma e gëzime të shumta familjare.

“Pasioni ka lindur se unë kam filluar që në moshën 15 vjeç, kam punuar me dasma, me orkestër, tërë jetën time. Kam 27 vjet këtu, kam punuar me dasma, punoj për qejf”.

Shpreh keqardhjen që sot dasmat nuk bëhen më me orkestër si dikur.

“Të rinjtë nuk vazhdojnë me zanatin tonë, kanë filluar dasmat tani me DJ.”

Thotë se momentet e gëzueshme i ka pasur të shumta në jetë por ndan veç një tur nëpër Europë me kolegë të tijë disa vite më parë.

“Para 10 vitesh, kemi qenë me ansamblin e shtetit në Çeki, isha në 10 shtete. Jam shumë i kënaqur me jetën time”.

Kjo verë ishte e mbarë dhe me të ardhura të mira për Vasilin pasi në qytet kishte turistë të shumtë. 67-vjeçari tregon se të huajt e vlerësojnë më tepër muzikën e tij.

“Këtë vit ka pasur shumë turistë, jam shumë i kënaqur, më kanë lëndë edhe 20 euro”.

Edhe pse në moshë pensioni Vasili gjen kohë t`i përkushtohet pasionit ndaj edhe të rinjve iu bën thirrje të realizojnë dhe ndjekin dëshirat e tyre.

“Kush e ka zanat ta vazjdojë, muzika nuk të lë pa kënaqësi dhe pa lekë”

Muzika i mban gjallë shpirtin ndaj Vasili thotë se per sa kohë të ketë frymë e jetë nuk do e ndajë nga dora fizarmonikën e tij./abcnews.al