Fituesja iraniane e Nobelit Narges Mohammadi dënohet me gjashtë muaj të tjerë burg

schedule12:13 - 25 Tetor, 2024

schedule 12:13 - 25 Tetor, 2024

Autoritetet iraniane kanë vendosur një dënim shtesë prej gjashtë muajsh burg për fituesen e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, sipas një grupi që po bën fushatë për lirimin e saj nga burgu.

Koalicioni “Liria për Narges” njoftoi të enjten se Mohammadi u dënua më 19 tetor me gjashtë muaj burg shtesë me akuzën e “mosbindjes dhe rezistencës ndaj urdhrave”, shkruan AP.

Grupi kërkoi lirimin pa kushte të Mohamady-t , duke deklaruar se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar në mënyrë drastike gjatë qëndrimit të saj të gjatë në burg dhe se ajo vuan nga zemra.

Sipas deklaratës, akuza u ngrit pasi Mohammadi organizoi një protestë kundër ekzekutimit të një të burgosuri tjetër politik në seksionin e grave të burgut Evin në Teheran më 6 gusht.

Mohammadi është gruaja e 19-të që merr Çmimin Nobel për Paqe dhe gruaja e dytë iraniane pas aktivistes së të drejtave të njeriut Shirin Ebadi, e cila mori çmimin në vitin 2003.

Narges Mohammadi (52) vazhdoi aktivitetet e saj megjithë arrestimet e shumta dhe vitet që kaloi pas hekurave, dhe u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023.

Ajo ndodhet në burgun e Evinit, ku strehohen të burgosurit politikë dhe tashmë ka vuajtur një dënim prej 30 muajsh, të cilëve në janar i janë shtuar edhe 15 muaj të tjerë.

Qeveria iraniane nuk e ka konfirmuar dënimin e saj shtesë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!