Fituesit dhe humbësit ekonomikë pas triumfit historik të Donald Trump

schedule07:56 - 11 Nëntor, 2024

schedule 07:56 - 11 Nëntor, 2024

Ndërsa Donald Trump rikthehet si presidenti i 47-të i SHBA-së, disa tregje reagojnë fuqishëm ndaj ndryshimit të politikave. Republikani është bërë politikani i parë që shërbeu dy mandate jo të njëpasnjëshme që nga Grover Cleveland në fund të shekullit të XIX-të, me pasoja të gjera për ekonominë dhe tregjet globale.

Partia Republikane ka fituar kontrollin e Senatit të SHBA-së – Dhoma e Përfaqësuesve është ende në garë – duke i dhënë atij një mandat të fuqishëm për të avancuar agjendën politike, e cila përqendrohet në taksa të ulëta për korporatat dhe të pasurit, tarifa të larta mbi importet dhe ulje të shpenzimeve qeveritare.
Trump e quajti këtë një “mandat të fuqishëm dhe të paprecedentë” në fjalimin e parë gjatë ditës së mërkurë Por, shtohet pyetja se cilët janë pesë fituesit dhe humbësit ndërsa investitorët përshtaten me administratën e re të SHBA-së.

Pesë fitues në treg me rikthimin e Trumpit si presidenti i 47-të i SHBA-së

Aksionet e kompanive të vogla – Indeksi Russell 2000, i cili ndjek kompanitë e vogla në SHBA, u rrit mbi 6 për qind në tregtinë Evropës, duke arritur afër niveleve rekorde dhe shënuar rritjen më të madhe ditore në dy vitet e fundit.

Qëndrimi proteksionist i Trumpit pritet të ndihmojë prodhuesit vendas, pasi tarifat më të larta mbi importet rrisin kostot për konkurrentët e huaj, duke i dhënë kompanive të vogla amerikane një avantazh konkurrues, transmeton Telegrafi.

Asetet ruse – Tregjet po vënë bast për një lehtësim të mundshëm të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke shtyrë indeksin e Bursës së Moskës (MOEX) të rritet me 3.3 për qind, e cila gjë do t’i tejkalojë “kolegët evropianë”. Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, pa një rritje prej 4 për qind, ndërsa Sberbank, një institucion financiar i madh rus, u rrit mbi 3 për qind.

CEO i Tesla-s, Elon Musk, një përkrahës i hapur i Trumpit, u përmend në fjalimin e fitorës së republikanit, duke forcuar pritshmëritë që Tesla mund të mbrohet nga konkurrenca ndërkombëtare nën një administratë më proteksioniste e SHBA-së.

Bitcoin – Mbështetja e Trumpit për rregullimin e tregjeve financiare, përfshirë kriptovalutat, çoi në rritjen e Bitcoin me gati 10 për qind gjatë natës, duke arritur një rekord të ri prej 80 mijë dollarësh (79 mijë euro). Në fund të muajit tetor, 78-vjeçari tha se synon që t’i jap fund “luftës së Kamalës ndaj kriptovalutave”, duke sinjalizuar një mjedis rregullator më të favorshëm për asetet digjitale gjatë administratës së tij.

Bankat Amerikane – Bankat kryesore amerikane, përfshirë Wells Fargo, Citigroup dhe Bank of America, u rritën rreth 8 për qind në tregtinë para hapjes së bursës.

Me politikat e Trumpit që priten të rrisin të ardhurat nga tregtimi dhe të zgjerojnë marzhet e interesit, bankat e Wall Street parashikojnë një perspektivë të fortë përfitimesh. JPMorgan dhe Morgan Stanley, secila panë gjithashtu rritje prej rreth 7 për qind.

Pesë humbësit me fitoren e Trumpit në zgjedhjet e SHBA-së

Aksionet e Energjisë së Gjelbër – Aksionet e energjisë së rinovueshme pësuan një rënie të ndjeshme pasi politikat e Trumpit pritet të reduktojnë subvencionet për iniciativat e gjelbra.

Aksionet e First Solar ranë me 12 për qind, ndërsa Enphase Energy dhe NextEra Energy pësuan ulje prej 10 për qind, gjegjësisht 8 për qind, duke reflektuar shqetësimet e tregut për uljen e mbështetjes federale.

Aksionet Kineze – Eksportuesit kinezë përballen me tarifa më të larta nga SHBA-ja për shkak të politikave tregtare proteksioniste të Trumpit, me një tarifë potenciale prej 60 për qind për mallrat e importuara nga Kina. Si rezultat, indeksi Hang Seng në Hong Kong ra me 2.6 për qind, dhe BYD, prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike në Kinë, pa rënie të aksioneve me 3.6 për qind.

Euro – Ekonomistët presin që dollari të forcohet, pasi politikat e Trumpit mund të nxisin inflacionin, duke e shtyrë Rezervën Federale të ndjekë një politikë monetare më të ngushtë. Euro ra me 1.7 për qind të mërkurën, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga shitja e shkaktuar nga COVID-19 në muajin mars të vitit 2020, pasi investitorët u drejtuan te dollari për siguri.

Bonot Amerikane – Politikat fiskale të administratës Trump pritet të rrisin borxhin kombëtar të SHBA-së me 7.75 trilionë dollarë (7.1 trilionë euro) deri në vitin 2035, duke e çuar raportin e borxhit ndaj GJDP-së në 143 për qind, sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm.

Të mërkurën, normat e bonove 10-vjeçare u rritën me mbi 10 pikë bazë në gati 4.5 për qind, duke reflektuar nevojat e shtuara për huamarrje dhe presionin pasues në rënie mbi vlerën e aktiveve të Thesarit.

Prodhuesit Gjermanë të Veturave – Pritshmëritë për tarifa më të larta të SHBA-së mbi veturat e importuara rënduan mbi prodhuesit gjermanë të automjeteve.

Porsche, BMW, Mercedes dhe Volkswagen panë ulje të aksioneve përkatësisht me 6.5 për qind, 6.4 për qind, 5 për qind dhe 4.9 për qind, për shkak të frikës se politikat tregtare të 78-vjeçarit mund të përkeqësojnë më tej rentabilitetin në një treg tashmë sfidues për prodhuesit evropianë të automjeteve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!