Fituan Barcelona e Atletiko fituan në Spanjë, suksesi nga kampionët

schedule14:21 - 26 Gusht, 2018

schedule14:21 - 26 Gusht, 2018

Atletiko e Madridit dhe Barcelona u ndihmuan nga dy lojtarë të Francës, që të fitonin ndeshjen në ligën spanjolle. Ishin ata që siguruan fitoret minimale jashtë fushe.

Jo më kot dolën kampionë të botës. Dy sulmue stë Francës ndihmuan Atletikon e Madridit dhe Barcelonën që të arrinin fitore në ligën spanjolle.

Kryeqytetasit e trajnerit Simeone iu falën Antuan Grizmanit, objektivit të verës të Barçës, por që zgjodhi të qendronte në Madrid, për kënaqësinë e tifozëve të tij.

Grizman i dha suksesin një Atletikoje të dobët, që nuk e meritoi atë, për çfarë dha në fushën e Rajo Vajekanos. Madje, miqve iu desh edhe një hero tjetër, i cili ishte portieri Oblak.

Slloveni bëri të paktën dy pritje vendimtare për të ruajtur epërsinë minimale 1-0, dhe bardhekaltërit kanë tani 4 pikë në dy ndeshje. Edhe më të vështirë e pati Barcelona, e cila gjithashtu u nxorr nga halli prej një sulmuesi francez.

Usman Dembele realizoi në pjesën e dytë, ndaj Realit të Vajadolidit. Djali 21-vjeçar pati nevojë vetëm për një mundësi që ta kthente në gol.

Katalanasit, kampionë në fuqi të Spanjës, vuajtën shumë edhe për shkak të terrenit tepër të keq, që ndikoi më shumë në lojën e tyre sesa në atë të vendasve, që ishin të kënaqur edhe me barazimin.

Suarez, Kutinjo e Dembele patën mundësi të shënonin që në pjesën e parë, por nuk ia dolën. Edhe Barcelona pati nevojë për një aleat tjetër, përveç kampionit të botës, dhe ky aleat ishte teknologjia.

Sistemi VAR e shpëtoi pasi anuloi golin e barazimit shënuar nga Vajadolidi në minutat shtesë. Vendimi ishte i drejtë, pasi rrjeta u realizua në pozicion jashtë loje. /abcnews.al